Një krizë e madhe po trondit Bayern Munichun dhe duket se çmimin do ta paguajë drejtori i përgjithshëm Oliver Kahn, i cili është gati të shkarkohet. Njëkohësisht po lëkundet edhe drejtori sportiv Hasan Salihamidzic, i cili për momentin nuk kërcënohet, sepse është nën “mbrojtjen” e presidentit të nderit Uli Hoeness.
Pas eliminimit të Bayernit në Ligën e Kampionëve nga Manchester City, Oliver Kahn tashmë është bërë cak i kritikave. Sipas informacioneve të gazetarit sportiv norvegjez Jan Aage Fjortoft, drejtori i përgjithshëm mund të humbasë së shpejti pozicionin e tij.
“Më kanë thënë se është një ‘proces i gjatë’ dhe ‘çështje kohe’ që Oliver Kahn, të shkarkohet nga posti i tij. Këto ishin fjalët e kryetarit Hainer, madje u diskutua për kthimi i Hoenessit”, ka shkruar Fjortoft në Twitter mëngjesin e sotëm (e enjte).
I have been told that there is “an ongoing process” and a “matter of time” before Oliver Kahn, the CEO of Bayern, is removed from his position
— Jan Aage Fjørtoft 🇳🇴 (@JanAageFjortoft) April 20, 2023
Megjithatë, siç shkruan gazeta Bild, nuk ka gjasa që Uli Hoeness, aktualisht president nderi dhe anëtar i bordit mbikëqyrës të Bayernit, të zëvendësojë Kahn.
Është e vërtetë që në klub po diskutohet për të ardhmen e Kahn dhe se shkarkimi i portierit legjendar është një opsion i mundshëm dhe kandidati më serioz për pasardhësin e Kahn nga ish-lojtarët e Bayernit është Philipp Lahm.
“Disa menduan se Salihamidzic nuk ishte aq i sigurt, por duke qenë se ai shihet si “njeriu i Hoeness”, duket se tani për tani ai është i shpëtuar”, pohoi Fjortoft.
Some has thought that Salihamidžić was not so safe, but being seen as «Hoeness’ man»…seems to save him for now https://t.co/m6S8XX40BL
— Jan Aage Fjørtoft 🇳🇴 (@JanAageFjortoft) April 20, 2023
Legjendari Uli Hoeness prej vitesh konsiderohet si eminenca “gri” dhe njeriu më me ndikim në Bayern dhe prej kohësh dihet që Salihamidzic është i besuari i tij.
Sido që të jetë, javët e fundit në Bayern kanë qenë më të trazuara se kurrë, dhe tifozët ngritën zërin dhe thirrën drejtuesit e klubit.
Kujtojmë se Bayern dhe Manchester City barazuan 1:1 në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe klubi anglez kaloi në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 4:1. /Telegrafi/