Ergys Kaçe mund të ndryshoj destinacion dhe të përfundoj në kryeqytetin e Greqisë, Athinë.
Mesfushori shqiptar i PAOK-ut që nuk po gjen më hapësira në radhët e skuadrës nga Selaniku, ka marrë një ofertë nga skuadra e Panathinaikos.
Në fakt, dy klubet kanë nisur bisedimet prej kohësh për transferimin e brazilianit Rodrigo Molento në Athinë, por gjatë ditëve të fundit në paketën e plotë të transferimeve është propozuar edhe lojtari kuqezi që e ka pranuar menjëherë ofertën, por edhe Dimitris Konstantinidis.
Aktualisht, topi është në këmbët e brazilianit i cili duhet të thotë “po” për të kompletuar transferimi e tre lojtarëve të PAOK-ut në radhët e skuadrës së gjelbër.
Për momentin palët po diskutojnë mundësinë që kartonët e të tre lojtarëve të ndahen në mënyrë të barabartë me nga 50 %, përcjell SS.
Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që transferimi i Kaçes të bëhet i plotë në radhët e Panathinaikos nëse klubi kryeqytetas derdh 800 mijë euro për të tre emrat e sipërpërmendur.
Gjithsesi, edhe në rast se operacioni për brazilianin Molento nuk mbyllet, Kaçe me shumë mundësi do të zhvendoset në Athinë për të nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.
Gjatë muajve të fundit, zërat për largimin e tij nga PAOK-u janë shtuar pasi mesfushori shqiptar nuk është prej kohësh në planet e klubit dhe një destinacion i ri do ta ndihmonte lojtarin të ri-hynte fuqishëm në orbitën e Kombëtares Shqiptare.