Site icon Telegrafi

Ka vdekur Paco Gento, legjenda e Real Madridit

Francisco Gento, legjenda e Real Madridit dhe futbollisti i vetëm në histori me gjashtë Kupa Evropiane në emër të tij, vdiq të martën (sot) në moshën 88-vjeçare.

Gento ishte aktualisht president nderi i Real Madridit, një post që e kishte trashëguar nga miku dhe shoku i tij i madh i skuadrës Alfredo di Stefano, i cili e mbante para tij. Dy legjenda që e bënë skuadrën madrilene një makineri fituese në Spanjë dhe Evropë, duke fituar pesë Kupa Evropiane radhazi, një moment historik që askush nuk e ka arritur dot.

Real Madridi ka lëshuar një deklaratë zyrtare për vdekjen e legjendës së tyre:

Real Madrid CF, presidenti dhe Bordi i Drejtorëve shprehin keqardhje të thellë për vdekjen e Francisco Gento, president nderi i Real Madridit dhe një nga legjendat më të mëdha të klubit tonë dhe të futbollit botëror.

Real Madrid dëshiron të shpreh ngushëllimet për gruan e tij Mari Luz, djemtë e tij Francisco dhe Julio, mbesat e tij Aitana dhe Candela dhe të gjithë të afërmit, kolegët dhe të dashurit e tij.

Paco Gento është lojtari i vetëm në historinë e futbollit që ka fituar 6 Kupa Evropiane. Ai mbrojti fanellën e klubit tonë në vitet 1953-1971 dhe gjatë 18 sezoneve në Real Madrid fitoi, përveç 6 Kupave të Evropës, 12 Ligave, 2 Kupave të Spanjës, 1 Kupë Ndërkontinentale, 1 Botërorit të Vogël dhe 2 Kupa Latine. Në Real Madrid ai luajti 600 ndeshje dhe shënoi 182 gola. Ai luajti me ekipin spanjoll në 43 ndeshje.

Figura e Paco Gentos përfaqëson besnikërisht të gjitha vlerat e Real Madridit dhe ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një pikë referimi për Real Madridin dhe botën e sportit. Tifozët e Madridit dhe të gjithë tifozët e futbollit do ta kujtojnë gjithmonë atë si një nga legjendat e tyre të mëdha.

Francisco Gento ka vdekur në moshën 88-vjeçare. Real Madridi gjithashtu shpreh ngushëllimet për të gjithë anëtarët dhe tifozët e Real Madridit. /Telegrafi/

Exit mobile version