Mediat në Argjentinë raportojnë se Juventusi i ka nisur zyrtarisht bisedimet me Paris Saint-Germainin në lidhje me transferimin Leandro Paredes.
Mesfushori argjentinas është në planet e bardhezinjve tash e një kohë, ndërsa me arritjen e Angel Di Marias, gjasat janë të mëdha që të realizohet marrëveshja.
Sipas TyC Sports, Zonja e Vjetër ka realizuar kontakt zyrtar me PSG-në për t’i nisur bisedimet.
Juve e ka në plan t’i largojë disa lojtarë, para se të angazhojë të tjerë. Prandaj, plani është që të ofrohet Adrien Rabiot në formë shkëmbimi.
Aaron Ramsey e Arthur Melo janë dy futbollistët tjerë që dëshiron t’i largojë klubi italian gjatë këtij afati kalimtar.
27-vjeçari Rabiot kaloi te Juve në vitin 2019 si lojtar i lirë pikërisht pas përfundimit të kontratës me klubin parisien, ndërsa ka edhe një vit kontratë me Bianconerët. /Telegrafi/