Site icon Telegrafi

Judith Scott dhe shpëtimi nga izolimi institucional: Jeta e vështirë e skulptores së njohur

Judith Scott

E shurdhër dhe me sindromën daun, për 35 vjet vuajti nëpër tmerret e institucioneve. Kur binjakja e saj e regjistroi në një qendër arti, doli të jetë artiste e jashtëzakonshme.

Nga: Katy Hessel / The Guardian
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com

Tufat e tojave të mbështjella rreth e qark marrin trajtën e mumifikimit të një gjëje të shenjtë. Rrotat e biçikletës të lidhura për një karrige, me anë të copëzave të pëlhurave me ngjyra kaleidoskopike. Karrocat e supermarketeve të mbushura deri larg me litarë, tuba, thekë. Forma që evokojnë krahë, kafshë ose pjesë të trupit që duket se po bisedojnë me njëra-tjetrën. Kjo është vepra e Judith Scottit (1943–2005).

Scott ishte fanatike për tojat. Punonte në skulpturat e saj për muaj të tërë, me orë të tëra në ditë dhe pa u ndalur. I bënte duart bashkë kur e dinte se një punim përfundoi – dhe menjëherë niste të punonte për tjetrin. Mbante kapele dhe bluza me ngjyrën rozë të ndezur, ndërsa kokën e mbështillte me shami.

Lindi 81 vjet më parë. Ishte 61 vjeçe kur vdiq në 2005 dhe i kaloi 17 vitet e fundit të jetës duke bërë art në organizatën jofitimprurëse Creative Growth Art Center – në një studio inovative në Oakland të Kalifornisë, dedikuar njerëzve me aftësi të kufizuara zhvillimore. Kishte një motër binjake – motra e saj Joyce lindi pa aftësi të kufizuara – por, Scott ishte i shurdhër dhe kishte sindromën daun [Down].

Që në moshën shtatëvjeçare u vendos në një sërë institucionesh duke duruar kushtet e tmerrshme për më shumë se 35 vjet. Mjerisht, ajo lindi para llojit të mbrojtjes ligjore që u zbatua pas skandaleve të tilla si Uilloubruki [Willowbrook] – një institucion në Nju-Jork ku torturoheshin fëmijët me aftësi të kufizuara – ndërsa ishte larg fushatës për të drejtat e njerëzve me aftësi të kufizuara, e cila u zhvillua bashkë me lëvizjet e tjera për drejtësi sociale në vitet 1960-’70.

Judith Scott: Pa titull [Untitled], 2004

Vetëm në vitin 1985, kur Joyce u bë kujdestare e saj ligjore dhe kur e regjistroi atë në qendrën e sipërpërmendur, Scott iu kthye artit. Nuk bëri asgjë për dy vitet para në qendër, por pasi merr pjesë në një punëtori të artit të fijeve, u fiksua pas tojave duke e kaluar çdo ditë, deri në vdekje, duke mbështjell me kujdes tojat përreth objekteve, duke i shndërruar ato në krijime të jashtëzakonshme.

Scott është një nga qindra të diplomuarit që kanë lulëzuar në atë qendër e cilat tashti është shtëpia e më shumë se 140 artistëve. Si një nga të parat qendra të këtij lloji, ajo u krijua në vitin 1974 në shtëpinë e artistes Florence Ludins-Katz dhe bashkëshortit të saj, psikologut Elias Katz, si një hapësirë “për t’u shprehur personat me aftësi të kufizuara”. Në vitet 1980 u zhvendosën në një lokal të riparimit të makinave me sipërfaqe prej 12 mijë metra katrorë.

Qendra nuk u thotë artistëve se çfarë duhet të bëjnë, apo ta përdorin artin si terapi. Në vend të kësaj, ua siguron artistëve burimet për të punuar dhe një hapësirë për të ekspozuar dhe shitur. Qendra gjithashtu e ka të prezantuar punën e banorëve të saj në muzetë e mëdhenj të botës. Për të festuar 50-vjetorin, për dy ekspozita ka bashkëpunuar me SFMOMA-n në San Francisko dhe për blerjen e më shumë se 100 veprave për koleksionin e përhershëm të muzeut.

Vepra [Trolley dolly] e Judith Scottit në Muzeun e Bruklinit në Nju-Jork (foto: Bebeto Matthews/AP)
Ekspozita aktuale quhet Creative Growth: The House that Art Built, e cila paraqet punën nga disa prej artistëve më të famshëm të qendrës, duke përfshirë një skulpturë nga Scott, vizatime nga Camille Holvoet dhe Alice Wong, si dhe një pikturë nga William Scott. Por, ekspozita gjithashtu tregon se çfarë do të thotë të ofrosh qasje në hapësirat e artit. Në videot në internet, është interesante të shohësh reagimet e artistëve për pjesëmarrjes në ekspozitë dhe për përthithjen e shikuesve në veprat e imagjinatës së pakufishme.

Qendra është një nga rrjetet globale të qendrave që mbështesin artistët në këtë mënyrë, si Land Gallery në Nju-Jork dhe ActionSpace në Londër. Kjo e fundit u ofron artistëve me aftësi të kufizuara mundësi që të ekspozojnë dhe shesin punën e vet. P. sh. Andrew Omoding sapo ka hapur ekspozitën e parë personale në Londër.

Për dekada, mjekët dhe artistët kanë punuar së bashku në këtë mënyrë. Këtë e kujtova gjatë javës së kaluar, teksa shikoja ekspozitën qendrore të Bienales së Venecias – Të huajt kudo [Foreigners Everywhere] të kuruar nga Adriano Pedrosa – dhe duke parë vizatimet shumëngjyrëshe fantastike të të dashuruarve të veshur me veshje mbretërore, vepër nga Aloïse Corbaz. Corbaz i kaloi 40 vjet në një spital psikiatrik dhe u inkurajua nga doktoresha e saj, Jacqueline Porret-Forrel, e cila tha se kur Corbazi gjeti lapsa me ngjyra, kjo gjë “ndryshoi jetën e saj”.

Ashtu si Scotti me krijimet e saj të jashtëzakonshme të bazuara në toja, arti mund të shfaqet si mjet i fuqishëm komunikimi për njerëzit që nuk kanë aftësi për të folur ose që kanë aftësi të kufizuara zhvillimore. Ashtu siç tha Porret-Forrel, “kreativiteti është nevojë, është i nevojshëm për ne. Artistët që duan të krijojnë, nuk duhet të ndikohen. Është e rëndësishme vetëm t’i ndihmojmë ata … duke i furnizuar me letra dhe me lapsa”. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version