Site icon Telegrafi

Jonuzi: VMRO-DPMNE-ja është “lojtar” i Rusisë (Video)

Analistët me qëndrime të kundërta për sa i përket reagimeve të faktorit ndërkombëtar. Derisa një pjesë e arsyeton reagimin e tyre në lidhje me situatën politike, pala tjetër e quan përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë. Njohësi i çështjeve ndërkombëtare Agim Jonuzi thotë se i tërë zhvillimi në vend ndërlidhet me nivele të larta gjeopolitike. Sipas tij nuk është aspak befasues reagimi rus. Jonuzi vlerëson se në tërë këtë lojë politike VMRO-DPMNE po shfaq realitetin, se është vetëm se një pion i politikave të Rusisë, njofton Alsat M.

“Ballkani për momentin është një trekëndësh të grupimeve politike që përdoren në funksion të politikës. Nuk më befason aspak reagimi i Rusisë e cila përmes ambasadës së saj përkrah politika të partive të cilat në vete mbajnë parashenja të demokristianëve.Normale është që VMRO si parti demokristiane të kërkojë partner te Rusia e cila edhe më parë ka deklaruar se i ndjen si vëllezër. Në këtë hapësirë janë përzier edhe gjeopolitika edhe politika religjioze edhe politika e lindjes dhe perëndimit duke tërhequr lidhjet mes Uashingtonit dhe Moskës”, deklaroi analisti politk Agim Jonuzi.

Por, ish ambasadori Risto Nikovski vlerëson se reagimet e vendeve perëndimore, SHBA-ve dhe BE-së janë me prapavijë, sipas një skenari të përgatitur për destabilizim të vendit. Reagimin e Rusisë e quan të drejtë dhe pa tendencë edhe pse ky reagim legjitimoi veprimet e pushtetit dhe presidentit kurse opozitën e akuzoi si instrument destabilizues që po vepron për zbatim të një skenari të ri ukrainas.

“Perëndimi padyshim është i përfshirë në Maqedoni, përgjimi nuk është projekt i Maqedonisë. Kjo është lojë e huaj dhe mendoj se me vendimin e presidentit, u lëkundën planet dhe skenari me të cilin duhej të mbyllet çështja maqedonase, me fjalë tjera, të riemërohet shteti dhe të shkatërrohet populli maqedonas. Me këtë vendim, ai plan ra në ujë. Nga ana tjetër reagimi i Rusisë ka prekur esencën e asaj çka po ndodh këtu. Brenga e tyre është logjike dhe normale. Rusia nuk është aktive në këtë rajon por paraqet reagim refleks nga situata e cila ka brengosur të gjithë”, tha ish ambasadori Risto Nikovski.

Reagimet e ndërkombëtarëve kanë ardhur pas përkeqësimit të situatës politike dhe protestave masive që erdhën si shkak i vendimit për falje që e shpalli presidenti Gjorge Ivanov ditë më parë. Me këtë vendim do të falen të gjithë personat kundër të cilëve ka ose do të ketë procedura penale, të iniciuara nga njohuritë e marrë prej përgjimeve të jashtëligjshme. /Telegrafi/

Exit mobile version