Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka thënë se problemet e zinxhirit të furnizimit me karburante dhe mallra mund të vazhdojnë deri në Krishtlindje.
Johnson mbrojti idenë e tij se kriza për karburant “është pakësuar” pavarësisht se vazhdojnë radhët e gjata për furnizim me karburante në disa rajone të vendit.
Pas rikujtimit nga një gazetar se ministri i Financave, Rishi Sunak ka thënë se problemet mund të vazhdojnë deri në Krishtlindje, kryeministri britanik tha se “Rishi ka gjithmonë të drejtë në çdo gjë që thotë”, përcjell Telegrafi.
Ai pranoi se shumë kohë më parë kanë qenë në dijeni për mungesën e shoferëve në transportin rrugor.
I pari i qeverisë britanike shtoi se ekonomia pas BREXIT-it është vendosur përballë “një periudhe të re rregullimi” dhe mbrojti idenë e tij se rruga për të pasur më shumë shoferë të mjeteve të rënda kalon nga kryerja e “pagesave e përshtatshme e pagave” të sektorit.
Për shkak të mungesë së drejtuesve të automjeteve të rënda pas BREXIT-it dhe pandemisë COVID-19, në vend javët e fundit ka pasur probleme në shpërndarjen e derivateve në pikat e karburanteve. /Telegrafi/