Agjenti Fali Ramadani është nën hetim për evazion fiskal të dyshuar dhe pastrim parash dhe hetuesit po kërkojnë disa transferime, duke përfshirë kalimin e Kalidou Koulibaly në Napoli dhe anulimin e kontratës së Maurizio Sarrit me Partenopei.
Agjentët e Guardia di Finanza – Policia Financiare e Italisë – kanë trokitur në derën e nëntë klubeve të Serisë A (Inter, Milan, Juventus, Verona, Fiorentina, Napoli, Torino, Cagliari dhe Roma) dhe dy të Serisë B (Frosinone dhe SPAL) për të marrë emaile dhe dokumente në lidhje me komunikimet mes tyre dhe agjentëve Fali Ramadani e Pietro Chiodi.
Transferimet e Federico Chiesa nga Fiorentina te Juventusi dhe Miralem Pjanic nga Juve te Barcelona janë duke u shqyrtuar nga hetuesit.
Prokurori Publik i Milanos beson se Ramadani ka marrë komisione nga këto transferta duke kryer evazion fiskal për 7 milionë euro.
Sidoqoftë, sipas Il Corriere della Sera (siç citohet nga Calciomercato.com), hetuesit po kërkojnë më shumë marrëveshje midis agjentit dhe klubeve të tjera të Serisë A.
Këto përfshijnë kalimin e Kalidou Koulibaly nga Genk te Napoli në vitin 2014 dhe ndërprerjen e kontratës së Maurizio Sarri me Partenopei në vitin 2018, përpara emërimit të italianit si trajner i Chelseat.
Interit i janë kërkuar dokumente në lidhje me rinovimin e kontratës së Samir Handanovic, ndërsa Milani do të duhet të japë detajet financiare të nënshkrimit të Ante Rebic nga Eintracht Frankfurt.
Lëvizjet e Nikola Kalinic te Roma dhe Hellas Verona janë gjithashtu duke u shqyrtuar, njësoj si kalimi i Karlo Butic në Torino në vitin 2018 dhe transferimi i Lorenco Simiç në SPAL. /Telegrafi/