Ka dhënë dorëheqje anëtari i bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Ivan Raduloviq.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar këtë të martë kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini.
“Po, anëtari i bordit të RTK-së, z. Ivan Raduloviq, dje më ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të bordit, siç ka thënë ai për arsye personale”, ka thënë Boletini.
Raduloviq ka dhënë dorëheqje nga bordi i RTK-së pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, me rastin e tërheqjes së serbëve nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, dhanë dorëheqje nga postet e tyre së bashku me këshilltarët komunalë nga radhët e Listës Serbe.
Ndërsa, deputetët serbë dorëzuan të hënën mandatet e tyre në Parlamentin e Kosovës. Dorëheqje kanë dhënë edhe disa prokurorë e gjyqtarë.
Këto dorëheqje kanë ardhur pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, pasi i njëjti ka refuzuar dhe ka rezistuar për lëshimin e fletëqortimeve për shoferët të cilët nuk i kanë konvertuar targat nga ilegale në RKS. /Telegrafi/