Të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e politikanit serb në veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq, do të dalin përsëri para gjykatës të hënën në orën 11:00, ku do të shqyrtohet kërkesa për masën e paraburgimit.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin prokurori special, Sylë Hoxha i cili tha se e ka marr ftesën për këtë rast nga Gjykata Themelore.
“E kam marrë vendimin dhe ftesën që më 17 dhjetor në orën 11:00 të paraqitem në gjykatë për shqyrtimin e kërkesës së paraburgimit ndaj të dyshuarve rreth rastit të Ivanoviqit”, ka thënë Hoxha.
Ndërkaq, në muajin nëntor Policia e Kosovës ka arrestuar tre të dyshuar për vrasjen që ndodhi në janar, në veri të Mitrovicës, ndërkaq policia është ende në kërkim edhe të dy dyshuarve tjerë që kanë lidhje me rastin. Në mesin e tyre është edhe Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe.
Ndryshe, Oliver Ivanoviq ishte vrarë më 16 janar, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte lider i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”. /Telegrafi/