Në ditët e para të javës Prishtina ishte nikoqire e disa vizitave të përfaqësuesve ndërkombëtarë, duke filluar nga senatorët amerikanë, ministri britanik i Mbrojtjes, komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, etj, të cilët zhvilluan takime me liderët e vendit.
Po gjatë kësaj jave kryeqyteti u zbukurua me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me rastin e hapjes së ceremonisë “Defender Europe 23”.
Telegrafi në vazhdim do t’ju sjellë disa momente të kapura nga fotoreporteri i Telegrafit, Ridvan Slivova.
Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters gjatë takimit të tyre me presidentet e vendit, Vjosa Osmani rikonfirmuan edhe një herë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) do të qëndrojnë krahë për krahë Kosovës.
Edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, këtë javë ka qëndruar në Kosovë ku zhvilloi takime me udhëheqësit e institucioneve, kryetarët e partive opozitare si dhe me shoqërinë civile.
Po ashtu, edhe ministri i Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe, James Heappey, vizitoi Kosovën duke zhvilluar disa takime të rëndësishme.
E në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e hapjes së “Defender Europe 23”, ku Forcat e Sigurisë së Kosovës janë radhitur në vendin e katërt sa i përket numrit më të madh të trupave pjesëmarrëse në “Defender Europe 23”.