Qendërmbrojtësi anglez, Joe Gomez, nuk është pjesë e skuadrës së Tre Luanëve për ndeshjen e sotme (e diel) kundër Kosovës.
Futbollisti i Liverpoolit (siç është thënë) është lënduar në stërvitje gjatë një përplasjeje me Kieran Trippier, për ta kompletuar kështu një javë makthi për të.
Gomez ka qenë vazhdimisht në mediat sportive në javën e fundit, si pasojë e një zënke me Raheem Sterling të filluar të dielën e kaluar në ndeshjen ndërmjet Liverpoolit dhe Manchester Cityt, të cilën skuadra e tij e fitoi me rezultat 3-1.
Zënka mes dy futbollistëve u intensifikua në stërvitjet e të hënës në St George’s Park, me ç’rast mbrojtësi mbeti me një shenjë në fytyrë, ndërsa anësori u suspendua për takimin e të enjtes në Wembley (të cilin Anglia e fitoi me rezultat 7-0 kundër Malit të Zi), ku anglezët e siguruan kualifikimin për ‘Euro 2020’.
Në sfidën ndaj malazezëve, Gomez u inkuadrua në lojë si zëvendësues në minutën e 70-të, por një pjesë e tifozëve anglezë e fishkëllyen atë. Sterling reagoi përmes një postimi në Twitter, duke e pranuar fajin dhe duke i kritikuar ata që e fishkëllyen bashkëlojtarin e tij.
Dhe të premten, derisa përpiqej ta mbronte një top në stërvitje, Joe dhe Trippier i përplasën gjunjët duke mbetur i lënduar mbrojtësi i Liverpoolit. Ekzaminimet mjekësore treguan se ai nuk mund të udhëtonte me pjesën tjetër të skuadrës drejt Prishtinës.
“Ka qenë një javë e vështirë, por një javë që do ta bëjë më të fortë dhe një javë të cilën e ka përballuar shumë mirë”, ka thënë trajneri Gareth Southgate. /Telegrafi/