Nëse kjo nuk është shtatzënia juaj e parë, ekziston mundësia që ju të ndieni lëvizjet e bebes suaj këtë javë
Ja çfarë ndryshimesh të tjera mund të prisni.
Çfarë ndodh me beben?
Kockat dhe muskujt e bebes vazhdojnë të zhvillohen. Krahët dhe këmbët tani janë kompletuar, koka është ngritur më lart dhe sytë e saj hapen drejt pjesës së përparme të kokës. Veshët i afrohen gjithnjë e më shumë pozicionit të duhur. Edhe thonjtë e këmbëve fillojnë të rriten. Bebja tani ka madhësinë e një speci – është rreth 12 cm i gjatë nga koka deri te të pasmet dhe peshon 80 deri në 120 gramë, transmeton Telegrafi.
Zhvillimi intensiv i gjëndrave gjenitale vazhdon. Nëse bëhet fjalë për një fetus femër, vezoret e saj tani përmbajnë rreth pesë milionë qeliza. (Ndryshe nga një burrë që prodhon mijëra qeliza sperme çdo ditë, gratë lindin me një sasi të caktuar qelizash vezore që do t’i kenë gjatë gjithë jetës).
Bebja juaj tani mund të mbajë kokën drejt, të hapë sytë, të hapë gojën dhe të koordinojë lëvizjet e saj! Ajo është shumë aktive – rrotullohet dhe shkelmon, por nuk mund ta ndjeni akoma.
Çfarë po ndodh me mamin?
Ju ndoshta ndiheni shumë më mirë se në fillim të shtatzënisë – të përzierat dhe ndryshimet e humorit tani janë shumë të rralla.
Gjatë kësaj jave, rritja e mitrës vazhdon – maja e saj tani është në gjysmë të rrugës midis kockës pubike dhe kërthizës. Gjinjtë janë të fryrë dhe të ndjeshëm, ndaj është e nevojshme të vishni një kapëse sutjenash, e cila nuk duhet të shtypë, por të mbështesë gjoksin.
Nëse kjo nuk është shtatzënia juaj e parë, ju mund të ndjeni lëvizjet e foshnjës këtë javë (edhe pse shumica e grave nuk ndjejnë lëvizje deri në javën e 18-të). Nënat e përshkruajnë këtë ndjenjë si një gudulisje të lehtë në stomak, e cila nga java në javë bëhet më e fortë dhe më e shpeshtë. Nëse ky është fëmija juaj i parë, mos jini të padurueshme – lëvizjet e para do t’i ndjeni rreth javës së 20-të.
Çfarë duhet të bëni?
Relaksimi në vaskë. Përdorimi i xhakuzit dhe banjave të nxehta gjatë shtatzënisë nuk rekomandohet. Megjithatë, uji mesatarisht i ngrohtë në vaskën tuaj mund të jetë një relaksim ideal. Relaksimi në vaskë në mbrëmje do të shërbejë gjithashtu si një ilaç kundër pagjumësisë shpesh të pranishme gjatë shtatzënisë.
Planifikoni momente romantike. Kur të vijë fëmija, nuk do ta keni të lehtë të organizoni një fundjavë romantike për dy. Mos e humbisni mundësinë – udhëtoni tani! (Më vonë mund të ndiheni shumë të lodhur dhe nervoz për të udhëtuar). Nëse nuk mund të largoheni nga qyteti, planifikoni një aktivitet lokal si darkë ose një film.
Ekzaminimi i dytë me ultratinguj. Këtë javë duhet të shkoni në ekzaminimin e dytë prenatal në mënyrë që mjeku të kontrollojë anatominë e fetusit. /Telegrafi/