Site icon Telegrafi

Jasharaj: Uroj që në janar ta kemi Ligjin e Pagave, ndryshe greva e pezulluar mund të riaktivizohet

Projektligji për Pagat në sektorin publik pritet të shqyrtohet në lexim të dytë në seancën e Kuvendit të Kosovës, që pritet të mbahet këtë të enjte.

SBASHK ka kërkuar nga Qeveria dhe deputetët që të merren parasysh kërkesat e tyre dhe që ky Projektligj të aprovohet, ndryshe është lënë e hapur mundësia e rikthimit të grevave në arsim.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahaman Jasharaj në një prononcim për Telegrafin, tha se greva e cila kishte nisur në shtator të këtij viti, nuk ka përfunduar por e njëjta është pezulluar vetëm deri në janar.

“Greva është pezulluar deri në janar, dhe ne si SBASHK urojmë që Ligji i Pagave të aprovohet dhe urojmë që të dihet edhe vlera e koeficientit dhe shpresojmë që Qeveria të mbajë fjalën që sistemi arsimor do të ketë pozitë meritore në këtë ligj. Nëkse kjo ndodh atëherë janari do të jetë pa telashe, sepse e gjithë problematika ka ndodh për shkak të Ligjit të Pagave që ka munguar me vite, edhe në të kaluarën për shkak të mungesës së këtij ligji kemi shkuar në greva”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka shtuar se nëse Qeveria nuk i mban fjalët për Ligjin e Pagave do të bisedojnë me anëtarësinë për veprime të mëtutjeshme.

“Jemi të obliguar që në janar të komunikojmë me organet udhëheqëse të SBASHK-ut dhe të shohim si e kemi situatën dhe pastaj do të vendosim në bazë të situatës siq e vlerëson anëtarësia. Greva nuk është mbyllur atëherë por është pezulluar që do të thotë se mund të riaktivizohet dhe ne urojmë që të mos vijmë në situatë të tillë, por e gjithë kjo varet nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Besoj që edhe Qeveria por edhe ministrja Arbërie Nagavci dhe të tjerët kanë nxjerrë mësime nga greva dhe besoj se ata do të bëjnë gjithçka që të mos vijmë në situata të tilla”, u shpreh Jasharaj për Telegrafin.

Kreu i SBASHK-ut tha se shpreson që edhe të shkurtohet afati i implementimit të Ligjit të Pagave nëse i njëjti miratohet në Kuvendin e Kosovës.

“Uroj që janarin ta kemi të qetë me ligjin e mirë të pagave. E po ashtu uroj që deputetët do ta shkurtojnë afatin e implementimit të Ligjit të Pagave nëse miratohet, e që është thënë se pas publikimit në gazetën zyrtare duhet 8 muaj për t’u implementuar”, tha Jasharaj.

Sindikalistët e arsimit kanë kërkuar 100 euro për punëtorë për çdo muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.

Qeveria vendosi për një pagesë në mënyrë retrokative nga 50 euro deri në janar të këtij viti. Pas këtij vendimi greva në arsim u ndërpre me paralajmërimin se në janar mund të ketë sërish rikthim të grevës nëse nuk merren parasysh kërkesat e SBASHK-ut. /Telegrafi/

 

Exit mobile version