Japonia ka shkaktuar sensacion duke mposhtur Spanjën me rezultati 2-1, sikurse Gjermaninë, për të kaluar tutje si e para e grupit, ndërsa spanjollët fal goldallimit kalojnë tutje si të dytit.
Ndeshja nisi me një rast të Japonisë, ku Junya Ito gjuajti, por ngjitur me shtyllën.
Spanja arriti të shënojë në rastin e parë të mirë, ku Cesar Azpilicueta harkoi në zonë dhe gjeti Alavaro Moratan që shënoi me kokë për 1-0.
Pjesa e parë nuk solli më raste të tjera dhe u mbyll me epërsinë e spanjollëve.
Me të filluar pjesa e dytë Japonia arriti të barazojë shifrat, kur Ritsu Doan gjuajti bukur nga distanca për të shënuar për 1-1.
Vetëm dy minuta më pas japonezët shënuan dhe njëherë, kur nga një top që pothuajse ishte jashtë vijës, Mitoma arrin ta zë dhe të asistojë te Ao Tanaka që shënoi për 2-1.
Pas tre minutash goli u konsiderua i rregullt dhe lojtarët japonezë filluan festën.
Pjesa e mbetur e takimit i takoi spanjollëve që me mbajtjen e topit ishin të zotë, por me krijimin e rasteve aspak.
Marco Asensio lëshoi një gjuajtje në minutën e 89-të, por portieri japonez Shuichi Gonda ishte në vend.
Pas tij rast të mirë kishte edhe Dani Olmo në minutën e 90-të, por sërish Gonda priti gjuajtjen.
Shtatë minuta lojë shtesë nuk dhanë asgjë dhe Japonia me gjashtë pikë kalon si e para e grupit, ndërsa Spanja me katër pikë kalon si e dyta, fal goldallimit. /Telegrafi/