Site icon Telegrafi

Japonia dhe Brazili bien dakord të mbrojnë pyjet tropikale të Amazonës

Udhëheqësit japonezë dhe brazilianë kanë rënë dakord të bashkëpunojnë për të mbrojtur pyjet tropikale të Amazonës duke forcuar përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike.

Bëhet e ditur se kryeministri japonez, Fumio Kishida, ka vizituar Brasilian dhe është takuar me presidentin brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva.

Gjatë takimit të të dy krerëve, ata kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për dekarbonizimin dhe çështje të tjera mjedisore.

Në një konferencë të përbashkët shtypi, Kishida tha se vendi i tij do të ndihmojë në neutralitetin e karbonit në botë, shkruan AA, përcjell Telegrafi.

“Japonia është e gatshme të bashkëpunojë me Brazilin, kryesuesin e grupit të 20 ekonomive kryesore, për të adresuar çështjet globale”, tha Kishida.

Siç raportohet, vitin e ardhshëm Brazili do të presë konferencën e OKB-së për ndryshimet klimatike, COP30.

Ndryshe, Amazona si pylli më i madh tropikal në botë është përballur me shpyllëzim të konsiderueshëm çdo vit gjatë mandatit të presidentit të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, i cili përfundoi në vitin 2022.

Vitin e kaluar, qeveria e Brazilit tha se prerjet e paligjshme dhe shpyllëzimi në pyjet tropikale të Amazonës ranë për 22.3 për qind midis gushtit të vitit 2022 dhe korrikut të vitit 2023. /Telegrafi/

Exit mobile version