Pas vendimit për largim nga institucionet e Kosovës, kanë dhënë dorëheqje edhe kryetarët e komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Përpos kryetarëve, dorëheqje kanë dhënë edhe këshilltarët në kuvendet komunale nga radhët e Listës Serbe, raportojnë mediat lokale serbe.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq tha se “nuk heqin dotë nga lufta për liri”.
“Unë si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut parashtroj dorëheqje të parevokueshme nga ajo pozitë. Po kthehem mes qytetarëve dhe lufta jonë nuk përfundon me kaq. Ne nuk heqim dorë nga lufta për liri, për bashkëjetesë”, tha Radojeviq.
Kujtojmë se një ditë më parë, Lista Serbe njoftoi për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Në pjesën veriore të Mitrovicës sot në orën 12 do të mbahet një takim i përgjithshëm publik.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës. /Telegrafi/