Evertoni që e ka nisur keq sezonin e ri në Ligën Premier, mund të mbetet pa talentin 21-vjeçar Anthony Gordon, ndërsa ai mund të zëvendësohet nga Adnan Januzaj.
Anglezi Gordon është objektiv i Chelseat, me Blutë e Londrës që janë të gatshëm të shpenzojnë një shumë prej 50 milionë funte (58 milionë euro) për sulmuesin e ri anësor.
Evertoni ka piketuar zëvendësuesin e 21-vjeçarit në rast se Gordon do të largohet. Bëhet fjalë për shqiptarin Adnan Januzajn.
Ai është aktualisht lojtar i lirë, pasi kontrata e tij me Real Sociedadin skadoi në fundin e sezonit.
Në rast se lojtari shqiptar do të transferohet tek Evertoni, do të jetë eksperienca e tij e tretë në Angli, pasi më parë ka luajtur me Manchester United dhe Sunderland.
Januzaj që prej vitit 2017 ishte pjesë e Real Sociedadit dhe në La Liga në total ka zhvilluar 132 ndeshje.
Rrugën e rrjetës e ka gjetur shumë pak, pasi në total ka shënuar vetëm 14 gola./Telegrafi/