Sot përmbyllet Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2025” me shfaqjen përmbyllëse “Jam Unë Ajo”.
Kjo shfaqje trajton historinë e dy grave nga realitete të ndryshme, të lidhura nga një barrë e padukshme – depresioni pas lindjes.
Përmes këtij rrëfimi, shfaqja shpërfaq një histori që shkon përtej dimensionit personal, duke u bërë një klithmë kolektive për të sfiduar tabutë. Në një shoqëri ku nënat shpesh konsiderohen “heroinat e heshtura,” kjo vepër e guximshme vë në qendër një temë që kërkon vëmendje dhe reflekton mbi realitete të shpeshherë të injoruara.
Gjatë festivalit, në skenën e teatrit të Gjilanit janë shfaqur një gamë e gjerë veprash origjinale që kanë trajtuar tema dhe histori të ndryshme.
Më 27 janar, u prezantua shfaqja “KREJONA,” me regji nga Kaltrim Balaj. Ky projekt laborator, i realizuar si shfaqje kamertale, eksploron rëndësinë e lirisë së shprehjes për qenien njerëzore, veçanërisht për shqiptarët e Kosovës, të cilët gjatë kohëve të shtypjes e kanë manifestuar këtë liri përmes emrave të fëmijëve të tyre.
Të dielën, publiku pati mundësinë të shohë shfaqjen “Lule Sajza,” me regji nga Endri Çela.
Ndërkohë, komedia “Dredhitë e Patukut” nga Gjergj Fishta riktheu në skenë një vepër klasike, e cila në kohën e autorit luhej nga priftërinjtë.
Shfaqje të tjera si “13,” “Stiffler” dhe “Bëje ose Vdis” ishin gjithashtu pjesë e këtij festivali, duke ofruar një përvojë të pasur artistike për publikun dhe duke nderuar krijimtarinë origjinale shqipe. /Telegrafi/