Në një intervistë të dhënë për mediumin spanjoll Onda Cero, sulmuesi kosovar Vedat Muriqi e ka pranuar se po kalon nëpër një moment të vështirë në karrierën e tij.
Reprezentuesi kosovar ka qenë autor i tre golave të realizuar këtë sezon, teksa ka dhuruar edhe dy asistime në 18 ndeshje sa i ka luajtur gjithsej në të gjitha garat.
Se forma e tij nuk është e njëjta si në sezonin e kaluar, për këtë në dijeni është edhe vet Muriqi i cili ka thënë se sulmuesi gjendet në telashe nëse nuk arrin të shënojë gola.
“Sulmuesi gjendet në telashe nëse nuk shënon gola. Sezonin e kaluar, unë u përballa me një lëndim serioz, por ia dola ta menaxhoja situatën dhe i shënova shtatë gola”.
“Këtë vit, përkundër faktit se ekipi ynë po ka më shumë posedim dhe po krijon më shumë raste, numri i golave të mia është zvogëluar”.
“E gjej veten në një pikë të vështirë, por unë kam eksperiencë të mjaftueshme për t’i rikthyer gjërat përmbys, pasi ekipi ka nevojë për më shumë fitore dhe unë për gola”.
“Roli im kryesor është që t’i ndihmoj shokët e skuadrës, shënimi i golave është kolektiv.
Sidoqoftë, nëse unë nuk e gjej golin, trajneri duhet të bëjë zgjidhje alternative. Ky është një veprim i arsyeshëm dhe unë duhet të kontribuoj sa të mundem”, ka thënë Muriqi.
Së fundmi u raportua se interesim të fortë për Muriqin ka shprehur Fenerbahce të cilët janë të interesuar ta rikthejnë në ekip, megjithatë, nuk ka pasur ende diçka konkrete./Telegrafi/