Me forcën e tij të madhe, uragani Milton u shndërrua në një kërcënim shumë të rrallë për banorët e Floridas.
Uji i ngrohtë nxiti intensifikimin jashtëzakonisht të shpejtë që e çoi Miltonin nga një uragan minimal në një kategori masive 5 në më pak se 10 orë.
“Nëse po kërkoni që një stuhi të jetë absolutisht e çmendur është ajo që kishte Milton”, tha studiuesi i stuhive në Universitetin Shtetëror të Kolorados, Phil Klotzbach.
Por, kjo nuk është e gjitha.
Rruga e Miltonit drejt lindjes përmes Gjirit është aq e rrallë sa stuhia më e fundit e krahasueshme me të ishte në vitin 1848, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Tampa nuk ka pasur një goditje të drejtpërdrejtë nga një stuhi e tillë e madhe në më shumë se 100 vjet, duke e bërë këtë javë skenarin më të keq për shumë ekspertë.
“Është e pazakontë në një numër mënyrash”, tha shkencëtari i klimës dhe eksperti i uraganeve në Universitetin Princeton, Gabriel Vecchi.
Megjithatë, SHBA-ja tashmë është në një brez veçanërisht të pafat sa i përket stuhive.
Kur Helene kaloi nëpër Florida më pak se dy javë më parë, ishte stuhia e shtatë e kategorisë 4 ose më e fortë që binte në tokë në SHBA në tetë vjet.
Kjo është më shumë se trefishi i normës mesatare vjetore të rënieve të tilla në SHBA që nga viti 1950, sipas një analize të të dhënave nga Associated Press.
Bëhet e ditur se Milton u formua në Campeche në Gjirin jugperëndimor të Meksikës.
Për ca kohë, parashikuesit nuk i dhanë masës së paqëndrueshme të ajrit një shans për t’u shndërruar në një stuhi tropikale, e lëre më një stuhi përbindësh.
Por, sapo sfidoi shanset, ajo u ngrit për shkak të ujit të ngrohtë.
Kjo pasi uji i ngrohtë nxit uraganet.
Bëhet e ditur se uji në lindjen e Miltonit dhe përgjatë rrugës së tij ishte rreth 30.5 gradë Celsius. Kjo është pothuajse 1 gradë Celsius më e ngrohtë se normalja dhe afër niveleve rekord, si në sipërfaqe ashtu edhe në thellësi. /Telegrafi/