Izraeli ka goditur Libanin me raketa, në shkëmbimin më të rëndë të zjarrit që nga armëpushimi.
Më herët, raketa u hodhën nga Libani në Izrael, për herë të dytë që nga dhjetori, duke shkaktuar shqetësime nëse armëpushimi i brishtë me grupin militant libanez Hezbollah do të zbatohej.
Izraeli kishte deklaruar se do t’i përgjigjej “rreptësisht” sulmit nga Libani.
Bëhet e ditur se Hezbollahu filloi lëshimin e raketave dhe dronëve drejt Izraelit ditën pasi sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 nga Gaza ndezi luftën atje, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Konflikti Izrael-Hezbollah u shndërrua në një luftë gjithëpërfshirëse në shtator, pasi Izraeli kreu valë masive sulmesh ajrore dhe vrau shumicën e udhëheqësve të lartë të grupit militant.
Luftimet vranë më shumë se 4,000 njerëz në Liban dhe shpërngulën rreth 60,000 izraelitë.
Sipas armëpushimit të arritur në nëntor, forcat izraelite supozohej të tërhiqeshin nga i gjithë territori libanez deri në fund të janarit.
Afati u zgjat më pas deri më 18 shkurt me marrëveshje ndërmjet Libanit dhe Izraelit.
Por që atëherë, Izraeli ka qëndruar në pesë lokacione në Liban, përballë komuniteteve në Izraelin verior, dhe ka kryer dhjetëra sulme ajrore në Libanin jugor dhe lindor.
Raportohet se Libani i ka bërë thirrje OKB-së që të bëjë presion ndaj Izraelit që të tërhiqet plotësisht nga vendi.
Ndryshe, Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban, e njohur si UNIFIL, tha se ishte e alarmuar nga përshkallëzimi i mundshëm i dhunës dhe u kërkoi të gjitha palëve të shmangin rrezikimin e përparimit të bërë, duke thënë se përshkallëzimi i mëtejshëm mund të ketë pasoja të rënda për rajonin. /Telegrafi/