Site icon Telegrafi

Izraeli, Libani dhe mirazhi i Lindjes së re të Mesme

Paqeruajtësi i OKB-së vështron fshatin libanez të Jarinit (foto: Diego Ibarra Sanchez/New York Times/Redux/eyevine, korrik 2024)

Nga: Ghassan Salamé / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Gjatë historisë, liderët kanë kërkuar të riformësojnë Lindjen e Mesme. Nga lartësitë e fshatit tim në Malin Liban, mund të sodis kalimin e perandorive të njëpasnjëshme: mbetjet e bukura të një tempulli romak, një kishë bizantine ose një bunker ushtarak francez (më pak tërheqës), që janë atje për të më kujtuar tërheqjen magnetike të rajonit dhe natyrën kalimtare të pushtetit.

Zona që shtrihet nga Malet Taurus deri në Shkretëtirën Arabia dhe nga Shat al-Arabi deri në Mesdhe, është strategjike, shumë simbolike, e larmishme në aspektin shoqëror dhe, për rrjedhojë, politikisht e paqëndrueshme. Vendosja e një lloj rendi mbi shtetet e saj të brishta dhe identitetet e paqarta e të paqëndrueshme, ka qenë një tundim për pushtuesit dhe për politikanët. Kiri i Persisë dhe Aleksandri i Maqedonisë u përpoqën; po ashtu, në kohët më të fundit, edhe George W. Bush.

Me rënien e perandorive koloniale të shekullit XX dhe lulëzimin e epokës së pavarësisë, u krijua një hartë politike, kryesisht arbitrare, duke ndarë ndërmjet shteteve të reja (jokombëtare) male dhe fusha, pllaja dhe shkretëtira që shtrihen përreth lumenjve Jordan, Oront dhe Eufrat. Këto krijesa moderne rezultuan të brishta, gjithnjë të kërcënuara nga përplasjet etnike dhe keqmenaxhimi politik.

Ndërtimi i shtetit është një përpjekje jashtëzakonisht e vështirë në shoqëritë pluraliste, kurrë i përfunduar, gjithmonë i kthyeshëm dhe shpesh i konsideruar si një mbulesë e përdorur nga një grup apo një tjetër (alavitët, tikritët, maronitët) për të imponuar vullnetin e tij. Kjo bëhet edhe më e vështirë kur hegjemonët rajonalë, që janë në ngritje, përpiqen t’i shndërrojnë këto njësi të brishta në satelitë të bindur.

Kohët e fundit, Lindja e Mesme ka përjetuar shumë episode të tilla. Egjipti i Gamal Abdel Nasserit përdori një valë të zjarrtë të nacionalizmit arab në vitet 1950-’60, në tentimin për të imponuar epërsinë e tij, por ambicia e tij u frenua brutalisht nga armët superiore të Izraelit, nga makinacionet e regjimeve konservatore arabe dhe armiqësia aktive perëndimore. Irani homeinist, duke promovuar emancipimin shiit dhe islamin politik, u përfshi në një projekt të ngjashëm që nga ditët e para të revolucionit, duke çuar, ndër të tjera, në një luftë të tmerrshme tetëvjeçare me Irakun dhe sponsorizimin e grupeve të armatosura joshtetërore si Hizbollahi në Liban, Hashd al-Shabi në Irak dhe Hamasi në Palestinë. Teherani u përpoq të organizonte këtë rrjet në një “Bosht Rezistence”, i cili dukej se ishte në ngritje deri në kohët e fundit. Për të mos mbetur prapa, Turqia nën Recep Tayyip Erdoğanin ka provuar të riafirmojë ndikimin e Ankarasë përmes mjeteve më fine, por ndonjëherë edhe më të ashpra, mbi një zonë që kishte jetuar nën sundimin osman për rreth katër shekuj.

I fundit që është tunduar është Benjamin Netanyahu i Izraelit. Ai flet për ambiciet e tij dhe demonstron, me fitoret e njëpasnjëshme taktike, se e ka seriozisht atë që thotë. Pas shpërthimit brutal të Hamasit më 7 tetor 2023, me vullnetin e tij ai e shndërroi Gazën në një fushë të madhe rrënojash, duke zhvendosur, bombarduar, lënë në uri dhe çnjerëzuar popullsinë e saj. Pastaj, ai u zhvendos në veri për t’i dhënë fund luftës me intensitet të ulët që Hizbollahu kishte nisur kundër Izraelit, në mbështetje të Gazës, dhe këtë e bëri në mënyrë spektakolare.

Ai bombardoi portin e Hudaidës në Jemen për të ndëshkuar lëvizjen e hutëve, e cila e kishte marrë si detyrë të ndihmonte Gazën duke penguar navigacionin ndërkombëtar dhe duke lëshuar raketa drejt Izraelit. Vazhdoi të godiste depot e armëve dhe militantët iranianë e pro-iranianë në Sirinë e copëtuar dhe të dobësuar. Në kohën e shkrimit të këtij teksti, ai po përgatitet të bombardojë Iranin, si reagim ndaj sulmeve me raketa më 1 tetor, gjë që jo vetëm do të përfshijë fluturimin mbi disa vende fqinje, por gjithashtu do të tërheqë ShBA-në në ofrimin e mbështetjes.

Ndërkohë, Netanyahu nuk ka lënë askënd të harrojë se qëllimi i tij kryesor mbetet aneksimi i Bregut të pushtuar Perëndimor (dhe për rrjedhojë shuarja e çdo mundësie për krijimin e një shteti palestinez), ku vrasjet e militantëve, shkatërrimi i tërësishëm i fshatrave dhe shpronësimi i tokave, nëse nuk janë dyfishuar, kanë vazhduar me intensitet. Ministri i tij i Financave, Bezalel Smotrich, është i zënë duke ndryshuar sistemin ligjor “Judea dhe Samaria”, në pritje të asaj që shumë kanë frikë se do të jetë aneksimi i plotë dhe ndoshta transferimi i rreth tre milionë palestinezëve në lindje të lumit Jordan. Së fundmi, ai ka reflektuar publikisht për një shtet hebre që mund të shtrihet nga Iraku deri në Egjipt.

Ushtarakisht, sjellja e Izraelit në Gazë është dukur instinktive dhe kaotike, më shumë si hakmarrje sesa si një luftë e planifikuar (Isaac Herzog, presidenti izraelit, ka akuzuar të gjithë banorët e Rripit si bashkëpunëtorë të Hamasit dhe, për këtë arsye, si objektiva të ligjshëm). Gjatë vitit që pasoi 7 tetorin, Izraeli vazhdoi të bombardonte spitalet, shkollat, xhamitë dhe kishat, fshatrat dhe kampet, pa deklaruar, ndoshta pa e ditur, se çfarë do të bëjë “ditën tjetër”.

Për dallim, në Liban lufta e tij ka qenë e planifikuar në mënyrë të detajuar. Përballja e fundit me Hizbollahun në vitin 2006 mbeti e papërfunduar, dhe njohësit izraelitë kanë besuar, që atëherë, se ishte e pashmangshme përballja e re me luftëtarët e Hassan Nasrallahut. Prandaj, është zbatuar një plan lufte i rafinuar deri në detajet më të vogla dhe rregullisht i përditësuar gjatë 18 viteve të fundit. Rezultati është një fushatë që kombinon inteligjencën gati në nivel fantashkence, me bombardime të pamëshirshme nga një forcë ajrore dominuese dhe dronët modernë – një fushë ku Izraeli ka epërsi të qartë, për të mos thënë mbizotërim. Deri në fund të muajit të kaluar, pas vrasjes së Nasrallahut, Netanyahu ishte në gjysmë të rrugës për të shpallur fitoren, duke vlerësuar suksesin e Izraelit në “ndryshimin për vite të tëra të ekuilibrit të fuqisë në rajon”.

Është i padiskutueshëm rrebeshi i sukseseve taktike të Izraelit në të dy frontet – veçanërisht pas lajmit se trupat e tij kishin vrarë në Gazë udhëheqësin e Hamasit, Yahya Sinwar. Ekspertët ushtarakë po presin me padurim inovacionet e ardhshme të Izraelit. Shumë vëzhgues pro-izraelitë janë në gjendje habie, në mos euforie, dhe kjo në mënyrë të pashmangshme ka nxitur Netanyahun të fillojë të mendojë për një Lindje të re të Mesme, të riformuar nga armët izraelite dhe që pasqyron vullnetin e hegjemonit të ri. Kartografët izraelitë kërkohen rregullisht për të pajisur kryeministrin e tyre me harta, për të treguar nga foltorja e OKB-së një Lindje të Mesme të lulëzuar dhe të prosperuar, gati për të zëvendësuar një të errët dhe barbare.

Në fakt, nuk ka dyshim se Izraeli ka ndryshuar ekuilibrin e fuqisë, duke dëmtuar ndjeshëm Hamasin dhe Hizbollahun dhe duke e vendosur veten në një pozicion ku qeveria e tij mendon se mund të diktojë konfigurimin e ri rajonal – i ndihmuar nga ushtria e tij fitimtare, pasiviteti arab, bujaria amerikane (në armë, dollarë dhe mbështetje diplomatike), dhe një sistem i thyer ndërkombëtar. Si të mbetesh racional, e lëre më modest, nën një konstelacion të tillë yjesh?

Pyetja nuk është nëse ky ndryshim i rëndësishëm është real, por nëse është i qëndrueshëm. Çdo përpjekje e kaluar për të riformësuar Lindjen e Mesme, ka përfunduar përgjithësisht në dështim: kryeministri izraelit Menachem Begin hyri në një depresion të thellë kur analizoi rezultatet e përpjekjes së tij në vitin 1982, dhe Bushi mund të jetë ende duke reflektuar mbi nismën e udhëhequr nga ShBA-ja, të shpallur në 2003, për të eksportuar demokracinë në të gjithë rajonin përmes ndryshimit të regjimeve.

Fillimi i riformësimit të rajonit, me inkursionin në Liban, ka qenë një mallkim për politikanët izraelitë: Begini dhe ministri i tij i Mbrojtjes, Ariel Sharon, u detyruan të jepnin dorëheqjen pas pushtimit të tyre në shkallë të gjerë në veriun fqinj në vitin 1982, që ishte justifikuar me terma shumë të ngjashëm me ato të Netanyahut sot. Shimon Peresi u mund në zgjedhjet që pasuan fushatën e tij të “zemërimit” në vitin 1996, dhe aventura e gabuar e Ehud Olmertit në vitin 2006, e kombinuar me raste korrupsioni, solli rënien e tij. Premtimi i përsëritur për një “Lindje të re të Mesme”, pas secilit prej këtyre pushtimeve, natyrisht nuk e ka parë kurrë dritën e Diellit.

A mund të veprojë më mirë kryeministri i tanishëm izraelit? Ka disa arsye të mira për skepticizëm. Së pari, ata që aspirojnë të bëhen hegjemonë, duhet të jenë të gatshëm të ridizajnojnë kufijtë dhe të promovojnë ndryshimin e regjimeve. Disa përdorime të forcës janë të domosdoshme dhe, për këtë arsye, vetëm vendet me burime të konsiderueshme ushtarake (Saddam Hussein kishte iluzionin se i zotëronte ato) përfshihen në përpjekje të tilla.

Pavarësisht se si ndiqen, këto qëllime zakonisht kërkojnë një çmim të rëndë në jetë njerëzish dhe burime materiale. Netanyahu ka shkuar aq larg sa të parashikojë ndryshimin e regjimit në Iran, “më shpejt se sa njerëzit mendojnë”. Por, nuk është e lehtë marrja e më shumë tokave duke imponuar udhëheqës të bindur në disa vende fqinje; Izraeli vështirë se mund t’i bëjë të dyja në të njëjtën kohë, pasi çdo objektiv (dhe ndonjëherë dy) do të kundërshtohet me vendosmëri nga akterët e tjerë.

Arsyeja e dytë për skepticizëm është se pasiviteti i regjimeve arabe, gjatë vitit të kaluar, lidhet ngushtë me identitetin e objektivave kryesore të Izraelit – dy kampionët pro-iranianë të islamit politik. Duke i shkatërruar ata, Izraeli gjithashtu po godet atë që shumica e regjimeve arabe e konsiderojnë si kundërshtarin më të madh. Kur aktiviteti i Izraelit tejkalon këtë përputhje rastësore të interesave, pasiviteti arab mund të zhduket papritmas. Përpjekjet për të transferuar palestinezët në vendet fqinje, në veçanti, do të kundërshtoheshin si një burim i madh i paqëndrueshmërisë politike. Përpjekjet e Izraelit për të imponuar një formë hegjemonie politike në Levant, nuk do të ishin të pranueshme për Egjiptin apo Arabinë Saudite dhe hegjemonët e tjerë rajonalë.

Arsyeja e tretë është se përdorimi i tepruar i forcës do t’i mbajë kundërshtarët e Izraelit në një gjendje të vazhdueshme zemërimi. Izraeli mund të grumbullojë fitore taktike, por nuk mund t’i shndërrojë ato në një hegjemoni të qëndrueshme. Me çështjet themelore që mbeten të pazgjidhura, Hamasi (ose një grup pasardhës) dhe Hizbollahu mund të rishfaqen në çdo moment gjatë viteve të ardhshme, meqë poshtërimi i tyre i fundit është më shumë një nxitje sesa një pengesë (ka arsye për të besuar se, ndërsa janë bombarduar tmerrësisht, të dy grupet kanë tërhequr rekrutë të rinj).

Shtetet e brishta të rajonit, kur nuk janë bashkëpunëtore të lëvizjeve anti-izraelite, vështirë se mund të parandalojnë rishfaqjen e grupeve me rrënjë të thella kulturore dhe në një kauzë që ata e konsiderojnë legjitime. Duket e mundshme që çështja palestineze do të vazhdojë të luajë rolin e një shkurre që digjet, si në Bibël, e cila shuhet vetëm për t’u rindezur menjëherë më pas.

Së katërti, një hegjemonizëm izraelit do të ndërtohej mbi një fuqi të zhveshur dhe arrogante. Të gjithë fqinjët e Izraelit janë aktualisht në mbrojtje: Siria është në fakt e pushtuar; Iraku nuk ka rifituar unitetin e tij kombëtar që nga “çlirimi” i tij dhe nuk është i organizuar me institucione të forta dhe transparente; Jordania ka frikë nga aneksimi i Bregut Perëndimor dhe mundësia e shndërrimit të saj në një shtet alternativ palestinez (diçka që ka qenë pjesë e programit të partisë Likud të Netanyahut për dekada të tëra dhe që kohët e fundit është ngritur në rendin e ditës në Tel Aviv dhe ndoshta edhe në Mar-a-Lago).

Sa për vendin tim, Libanin, ai është financiarisht i falimentuar, politikisht i paralizuar (pa president, me një qeveri me kompetenca të kufizuara dhe një Parlament të përgjumur) dhe i kërcënuar nga rikthimi i luftës civile. Hegjemonia e Izraelit, nëse vendoset, do të ishte një fitore e lehtë, por në një mjedis të paqëndrueshëm, të frustruar dhe të zemëruar që vështirë se do të qetësohet. Edhe sikur lufta të ndalonte sot, Libanit do t’i duhen vitet për t’u rikuperuar. Izraeli do të mund të gjente informatorë në një mjedis të tillë, por do të kërkonte dëshpërimisht aleatë dhe zëvendës.

Kjo është edhe më e vërtetë sepse lloji i hegjemonisë rajonale që Izraeli po përpiqet të ndërtojë, është krejtësisht jo-gramshiane: nuk kërkon të integrojë të mundurit, por, përkundrazi, vazhdon t’i përjashtojë ata. Mesianizmi i tij ekspansionist është i pashijshëm edhe për popullatat më paqësore të rajonit, thjesht sepse ato nuk mund të kenë asnjë hise në të. Ata e konsiderojnë veten të distancuar nga Holokausti i imponuar nga evropianët ndaj hebrenjve dhe, për këtë arsye, nuk janë të gatshëm të paguajnë, edhe një herë, për krimet e Evropës. Integrimi i të dobëtëve në domenin e të fuqishmëve, siç është analizuar nga Antonio Gramsci ose shumë më përpara tij nga i madhi Ibn Khaldūn (i cili shkroi për një proces në të cilin të dobëtit pranojnë një status më të ulët për aq kohë sa janë pjesë e rrjetit të sundimtarit, ndoshta si një parakusht për hegjemoninë e qëndrueshme), është i pamundur në këto rrethana.

Në këtë aspekt, evolucioni i brendshëm i Izraelit është një pasqyrë e qartë. Që nga fitorja e tij në luftën e vitit 1967, Izraeli ka ndryshuar ndjeshëm. Kjo mund të shihet në komunitetin druzi, tradicionalisht një burim i rëndësishëm rekrutimesh për ushtrinë izraelite, ku po rritet shqetësimi për një rishikim të Izraelit që konsolidon statusin e tyre si qytetarë të dorës së dytë. Kjo u bë e qartë gjithashtu në protestat e pranverës dhe verës së vitit 2023, kur izraelitët liberalë dolën në rrugë me qindra mijëra, duke demonstruar kundër “reformave” të qeverisë së Netanyahut për gjyqësorin, të cilat synonin kufizimin e autonomisë së tij.

Me fjalë të tjera, rikonfigurimi i Izraelit si një entitet gjithnjë e më fetar (siç ilustrohet nga ndikimi në rritje i kolonëve në politikë dhe rritja e madhe e militantëve fetarë në radhët e oficerëve), e bën atë edhe më ekskluzivist: hebrenjtë liberalë dhe – padyshim – qytetarët arabë të shtetit nuk janë të mirëpritur. Ky transformim i politikës izraelite (jo thjesht “rrëshqitje drejt së djathtës”, siç raportohet shpesh) ka ecur paralelisht me përpjekjet për hegjemoninë rajonale, një kombinim që vështirë mund të qetësojë pjesë të mëdha të popullsisë izraelite apo fqinjët në rajon.

Ata që perënditë i godasin me arrogancë, shpesh çlirojnë veten nga arsyeja. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u shpall persona non grata vetëm sepse i kujtoi Izraelit se edhe për të vlejnë ligjet ndërkombëtare humanitare. Emmanuel Macron u kërcënua me një përgjigje të ashpër sepse sugjeroi ndalimin e dërgesave të armëve drejt Izraelit. Gjykata Ndërkombëtare Penale u demonizua kur foli për krimet e luftës që po kryheshin; ende nuk dihet nëse ajo do të lëshojë fletëarrestime për udhëheqësit izraelitë. Edhe vendet që kanë normalizuar marrëdhëniet e tyre me Izraelin, janë të dezorientuara nga përkufizimi i lëvizshëm që Izraeli i bën sigurisë së vet dhe nga përbuzja ndaj shqetësimeve të të tjerëve.

Ngjashëm, ideja e Izraelit si një kështjellë e qytetërimit kundër barbarisë është një pretendim që gjen jehonë në Perëndim (padyshim në Kongresin amerikan), por që mezi përshkruan qytetërimet e lashta të rajonit dhe nuk pasqyron në mënyrë adekuate sjelljen e ushtrisë izraelite në Gazë. Më afër realitetit është përpjekja e Izraelit për të qenë një kështjellë ushtarake e avancuar për Perëndimin, dhe shumë në Perëndim janë të kënaqur me këtë rol. Por, një kështjellë e avancuar ushtarake nuk mund të jetë një hegjemon rajonal, e aq më pak një fanar qytetërimi.

Në këtë rajon të torturuar, të trazuar dhe të thyer, ende ekziston një mundësi për të shmangur më të keqen. Kjo mund të arrihet duke e kthyer në qendër të vëmendjes çështjen thelbësore, atë që ka qëndruar në thelbin e konfliktit për një shekull e gjysmë: të drejtat themelore politike të palestinezëve. Aventurat rajonale të Izraelit shpesh duken si një arratisje nga ky fakt i përhershëm dhe i dhimbshëm. Përveç nëse e drejta e palestinezëve për një shtet të tyre përkrah Izraelit njihet dhe zbatohet materialisht, ata nuk do të pushojnë së qeni një burim shqetësimi (plotësisht legjitim), duke e bërë të pamundur jetën e tyre dhe atë të fqinjëve të tyre.

Hegjemonët aspirues shpesh arrijnë në përfundimin se nëse forca nuk i qetëson palestinezët dhe ata që mbështesin kauzën e tyre, zgjidhja është zbatimi më i madh i forcës. Nëse historia ka ndonjë mësim, është se përdorimi i forcës për të zgjidhur çështjet komplekse politike është gjithmonë steril dhe shpesh kundërproduktiv. Në çdo rast, rrënojat e lëna nga bombardimet e tanishme të Libanit nga Izraeli nuk kanë asnjërën nga hijeshitë që lanë romakët dhe bizantinët në fshatin tim; përkundrazi, ato janë shenja të një arrogance të pakufizuar dhe të padurueshme. /Telegrafi/

Exit mobile version