Site icon Telegrafi

Izraeli kërcënon me sulme të forta kundër forcave iraniane në Siri

Marrëveshja e fundit midis Damaskut dhe Teheranit mbi bashkëpunimin ushtarak ka acaruar Izraelin.

Izraeli ka ripërsëritur kërcënimin për të sulmuar objektivat ushtarake iraniane në Siri, pasi Damasku dhe Teherani arritën një marrëveshje të re mbi bashkëpunimin e sigurisë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha gjatë një fjalimi të mërkurën se vendi i tij do të marrë “aksion të fortë dhe të vendosur kundër përpjekjeve të Iranit për të vendosur forca ushtarake dhe sisteme të avancuara të armëve në Siri”.

Atasheu ushtarak i Iranit në Damask tha të martën se këshilltarët ushtarakë të vendit të tij do të mbesin në Siri në kuadër të marrëveshjes së mbrojtjes të nënshkruar ditë më parë, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

“Përkrahja për integritetin territorial të Sirisë u theksuan gjithashtu në marrëveshje,” tha brigadier-gjeneral Abolghasem Alinejad.

Irani ka siguruar mbështetje të vazhdueshme politike, financiare dhe ushtarake ndaj presidentit Bashar al-Asad, ndërsa ky i fundit luftoi kundër një kryengritje shtatëvjeçare.

Izraeli nuk është përfshirë drejtpërdrejtë në konfliktin sirian, por pranoi kryerjen e dhjetëra sulmeve ajrore në Siri për të ndalur disa dërgesa të armëve të avancuara që Irani i ka dhuruar armikut të Izraelit, Hezbollahut të Libanit i cili është i përfshirë fuqishëm në luftën e Sirisë në krah të Asadit.

Netanjahu ka premtuar se do të luftojë fuqizimin e elementëve iraniane në Siri.

“Ne jemi duke punuar për të parandaluar Iranin që të shtojë praninë ushtarake në Siri,” tha Netanyahu.

Në maj, Izraeli goditi dhjetëra objektiva ushtarake në Siri pasi akuzoi Iranin për nisjen e sulmeve raketore drejt forcave të saj në lartësitë e pushtuara të Golanit.

Izraeli kreu sulme ajrore në tre objekte ushtarake siriane në korrik, pasi dyshohej se ishte një avion sirian që shkeli hapësirën ajrore të shtetit hebre në provincën Quneitra./Telegrafi/

Exit mobile version