Grupi mercenar rus, Wagner ka humbur dhjetëra mijëra personel – ndoshta deri në gjysmën e forcës së tij prej 50 mijë trupash – gjatë betejave të përgjakshme për të pushtuar qytetin kyç të Ukrainës, Bakhmut.
Instituti amerikan për Studimin e Luftës përmes të dhënave të fundit mbi luftën ka bërë të ditur se sipas zyrtarëve perëndimorë, Wagner ka të ngjarë të ketë humbur një sasi “të konsiderueshme” të fuqisë ushtarake, e cila pritet të pengojë ofensivën e Moskës, raporton nypost.
Gjeneral amerikan, Mark Milley raportoi të mërkurën se grupi mercenarë ka rreth 6000 personel profesional dhe 20-30 mijë rekrutë, kryesisht të dënuar, që luftojnë në zonën e Bakhmutit.
Në fund të dhjetorit, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, përcaktoi madhësinë e forcës së Wagnerit në 50 mijë mercenarë, më shumë se tre të katërtat e tyre të rekrutuar nga burgjet e Rusisë.
Mercenarët kanë kaluar muaj të tërë duke u përpjekur për ta futur nën kontroll Bakhmutin, ku luftimet kanë qenë aq të ashpra saqë është bërë i njohur si një “mulli mishi”.
“Ka të ngjarë që ndryshimi midis shifrës prej 50 mijë të Kirbyt dhe të 26 mijë deri në 36 mijë të Milleyt në zonën e Bakhmutit është rezultat i viktimave të ofensivës së keqe të Wagnerit”, përfunduan analistët e ISW-së.
Ky informacion nga analistët perëndimorë duket se është konfirmuar edhe nga themeluesi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, i cili pranoi publikisht të mërkurën se luftimet në Bakhmut kishin shkaktuar humbje të mëdha tek forcat e tij – si dhe në anën ukrainase.
“Beteja për Bakhmut sot tashmë ka shkatërruar praktikisht ushtrinë ukrainase, dhe për fat të keq, ajo ka dëmtuar rëndë edhe kompaninë ushtarake private Wagner”, tha Prigozhin. /Telegrafi/
ISW noted in its latest assessment that Western officials have reported that Wagner and conventional Russian forces have likely lost a substantial amount of manpower in the #Bakhmut area, & that this will further constrain Russia's offensive on the city.https://t.co/Wlz3BbQAYE.
— Institute for the Study of War (@TheStudyofWar) March 31, 2023