Hendbollistet e Istogut e kanë fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale të ‘play-offit’ në Superligën e Kosovës.
Të mërkurën mbrëma në palestrën e qytetit në Istog, skuadra vendase e mposhti Vushtrrinë me rezultat 32-22. Istogut tani i duhet edhe një fitore apo një barazim për të kaluar në finale të ‘play-offit’. Ndeshja e dytë luhet në fundjavë në Vushtrri.
Istogu herët nisi shkëputjen në rezultat, ndërsa pas 30 minutave epërsia e vendaseve ishte shtatë gola, 16-9. Epërsinë bindëse Istogu e mbajti edhe në pjesën e dytë.
Esma Muratoviq i shënoi 10 gola për Istogun, ndërsa Dayane Rocha shënoi 8 gola. Anja Bojaniq shtoi 6 gola.
Te Vushtrria, që është kampione aktuale, më efikasja ishte Burneta Rama me shtatë gola. Nga tre i shënuan Kosovare Avdiu, Luljeta Sopjani e Gentiana Basholli.
Ndeshja është luajtur në praninë e afro 1.500 shikuesve.