Ismet Krasniqi është zgjedhur kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) edhe për mandatin 2025-2028, në Asamblenë e Përgjithshme dhe Asamblenë së 9-të Zgjedhore të mbajtur të premten mbrëma.
Asambleistët e Asamblesë së 9-të Zgjedhore kanë zgjedhur Bordin e ri Ekzekutiv për ciklin olimpik 2025–2028.
Atij do t’i prijë sërish presidenti Ismet Krasniqi, i cili u zgjodh me aklamacion.
Me vota të mbyllura apo votim të fshehtë u bë zgjedhja e nënpresidentëve dhe anëtarëve të KOK-ut.
Milaim Kelmendi, Arben Fetahu, Gazmend Maxhuni dhe Musa Selimi o zgjodhën nënkryetarë.
Anëtarë të bordit ekzekutiv u zgjodhën Distria Krasniqi (përfaqësuese e sportistëve), Besire Domaniku (mundje), Florian Miftari (basketboll), Bahri Gjinovci (volejboll), Avni Nuha (çiklizëm), Vjollca Krasniqi (futboll) dhe Teuta Beselica Berbati (ragbi).
Më propozim të kryetarit Krasniqi o zgjodhën edhe tre anëtarë tjerë: Fatos Tabaku (xhudo), Halil Sylejmani (atletikë) dhe Arianit Nikçi (bjeshkatari dhe ngjitje sportive).
Ish-kryetari i KOK-ut, Besim Hasani u zgjodh “President Nderi”. /Telegrafi/