Site icon Telegrafi

Takimet me ambasadorët për dinarin, BQK: Po vazhdojnë aktivitetet e informimit – përfshirë edhe linjën pa pagesë për marrjen e informatave

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer me të cilin ka biseduar për lidhur me nismat për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA.

Sipas një njoftimi për media në takim u diskutua për mbështetjen që shteti austriak po i jep Kosovës në proceset integruese, përfshirë këto aspekte lidhur me Sistemin e Kartonit të Gjelbër, Kodin ISO që lidhet me platformat botërore të pagesave dhe procese tjera me rëndësi të veçantë për vendin tonë.

“Guvernatori i BQK-së me këtë rast falënderoi Ambasadorin Schnetzer për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së tij dhe popullit austriak për institucionet dhe popullin e Kosovës.

Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për avancimin e kornizës rregullative dhe ligjore, duke përfshirë Ligjin për Bankat, Ligjin për Shërbimin e Pagesave dhe ligje tjera, të cilat kanë si synim përafrimin me direktiva të BE-së. Është biseduar lidhur me veprimet e ndërmarra ndaj parave të falsifikuara, si dhe planet tjera për fuqizimin e integritetit të sistemit financiar, me praktikat më të mira ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se ambasadori Schnetzer u informua edhe me Rregulloren për operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj.

“U sqarua se Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Kosovën me standardet e BE-së, si dhe ajo nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro, nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK”, bëhet e ditur në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit, në këtë aspekt, ambasadori austriak u njoftua edhe për Planin e BQK-së për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj, krahas angazhimit konstruktiv të BQK-së për lehtësimin e transferimit të mjeteve sipas modelit të propozuar dhe gatishmërisë për të diskutuar opsionet e mundshme ligjore.

“Në fund të takimit u theksua se BQK në mënyrë aktive po vazhdon me aktivitete të informimit dhe sensibilizimit, përfshirë lëshimin e linjës pa pagesë të dedikuar për qytetarët tanë dhe materiale tjera informuese, duke ftuar ata që ende nuk kanë llogari të hapin një të tillë te secila bankë, e cila për grupe të cenueshme nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024 me Rregulloren e BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike”, thuhet ndër të tjera në njoftim të BQK-së. /Telegrafi/

 

Exit mobile version