Shtatë anëtarë të forcave të pro-regjimit u vranë në Siri në një sulm të grupit të Shtetit Islamik, njoftoi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Sulmuesit ishin me motoçikleta kur hapën zjarr ndaj një poste ushtarake, “duke vrarë të paktën shtatë luftëtarë pro regjimit”, në afërsi të Boukamal në kufirin me Irakun, tha drejtori i OJQ-së, Rami Abdel Rahman.
Këtë vit, sulmet e ISIS-it kanë vrarë të paktën 385 anëtarë të forcave pro-regjimit dhe 165 civilë, sipas Observatorit, i cili ka një rrjet të gjerë burimesh në Siri.
Rahman tha se në mesin e të vrarëve të premten ishin sirianë dhe “të huaj”, raporton timesofisrael.
Pas ngritjes në pushtet në vitin 2014 në disa pjesë të Sirisë dhe Irakut, Shtetit Islamik iu lëkund “kalifati” i vetëshpallur pas ofensivave të njëpasnjëshme kundër tij në të dyja vendet, të cilat u nisën me mbështetjen e një koalicioni ndërkombëtar antixhihadist.
Humbja e ISIS-it në Siri u shpall në vitin 2019, por koalicioni mbeti në vend për të luftuar kundër celulave xhihadiste që vazhdojnë të veprojnë atje.
Konflikti në Siri, i shkaktuar në vitin 2011 nga shtypja me grusht të hekurt të demonstratave pro-demokracisë, ka lënë më shumë se gjysmë milioni të vdekur.
Më shumë se dymbëdhjetë vjet konflikt të përgjakshëm e kanë ndarë vendin në zona ndikimi.
Regjimi i presidentit sirian, Bashar Assad ka rifituar kontrollin e një pjese të madhe të vendit, me mbështetjen e aleatëve të tij rusë dhe iranianë. /Telegrafi/