Elsa Lila, një nga zërat më të dashur të skenës muzikore shqiptare, ka rikthyer magjinë e saj në Festivalin e RTSh-së me një këngë të re që ka prekur zemrat e fansave.
Pas triumfit të vitit të kaluar me këngën “Evita”, Elsa vjen këtë vit me një prej këngëve më prekëse të repertorit të saj – “Mars”. Me këtë propozim të ri artistik, Elsa është përsëri në radhët e pretendentëve kryesorë për të fituar sivjet festivalin.
“Mars” është një kompozim i vet Elsës, me tekst të Elsës dhe dirigjuar në orkestër nga mjeshtri italian Enrico Melozzi.
Por më shumë se ritmet që i japin këngës karakterin e saj, janë vargjet që bëjnë diferencën. Teksti i këngës është një dritare në periudhën e errët të jetës së këngëtares, ku ajo rrëfen për një mars të vitit 2022, një periudhë e cila solli të papritura dhe sfida të mëdha për emocionin dhe karakterin e saj.
Elsa, në vargjet e këngës, jep përvojën e saj personale, “Ishte një mars i gjatë, në një dhomë të ftohtë, me mure zhgarravitur”, duke evokuar kujtesën e asaj kohe kur ajo u arrestua nga autoritetet italiane nën akuzat për përfshirje në një trafik droge. Kjo ngjarje që tronditi jetën e saj u zbardh pas disa muajsh kur pafajësia e saj u vërtetua dhe Elsa u lirua nga akuzat.
Kënga “Mars” është një rrëfim i fortë emocional që tregon për vuajtjen dhe dhimbjen e një kohe të vështirë, por mbi të gjitha tregon për forcën dhe guximin e një gruaje për të dalë e paprekur nga kjo periudhë sfiduese.
Pritshmëritë janë të larta për këtë këngë që Elsa Lila i dedikon një kapitulli të veçantë të historisë së saj, një kapitull që ajo ka zgjedhur ta ndajë me botën nëpërmjet artit të saj të mahnitshëm muzikor. /Telegrafi/