“Isha në një moment shumë të keq emocional, sapo më kishte vdekur babai. Ekonomi nuk kisha, u detyrova të lija familjen time dhe të shkoja të punoja për të punuar”, u shpreh H.D., e akuzuara si organizatore.
Kjo zonjë që na priti në banesën e saj, ndodhet nën masën e sigurisë arrest shtëpie, në një nga qytetet e rëndësishme të Shqipërisë.
Ajo, pretendon se ka kërkuar punë të ligjshme për të ushqyer familjen, por ka rënë në kurth.
Njëjtë si mjaft punëtore të hashashit të rekrutuara nga grupet kriminale. Por, në konkluzionet e saj Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e konsideron si një prej organizatoreve.
Pra, rekrutuese për dhjetëra gra të tjera që punonin në fermat e kanabisit.
“Pretenca ka kërkuar dënimin tim me 10 vite burg, por me gjykim të shkurtuar shkon në 6.8. Kam bërë 1 vit e gjysmë burg dhe tashmë ndodhem në arrest shtëpie. Më ka dëmtuar shumë, ekonomikisht dhe psikologjikisht”, u shpreh H.D., e akuzuara si organizatore
SPAK ka kërkuar deklarimin fajtor të zonjës për dy akuza mjaft të rënda sa i përket përfshirjes së saj në biznesin e paligjshëm të kultivimit të lëndëve narkotike.
Deklarimin fajtor të të pandehurës për kryerjen e veprës penale të Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në formën e grupit të strukturuar kriminal, dënimin e saj me 10 vite burg. Dënimin me dy vite burg për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Në bashkim dënimesh 10 vite, ndërsa nga gjykimi përfundimisht të dënohet me 6 vite e 8 muaj burgim.
Pas konkluzioneve të organit të akuzës, të premten e 7 marsit ishte parashikuar zhvillimi i seancës së radhës në gjykatë për parashtrimin e konkluzioneve të mbrojtjes.
“Jam e pafajshme, shpresoj që të vendoset drejtësia, nuk pres dënim fare. Nuk kam lidhje me gjërat që thonë ato. Shpresoj që këtë herë të vendoset drejtësia”, u shpreh H.D., e akuzuara si organizatore.
Kjo zonjë, është një nga dhjetëra si ajo të ndaluara pas aksioneve të bujshme në sera kanabisi në Shkodër dhe Berat.
Edhe gratë e tjera, pak a shumë kanë mbajtur qëndrim të njëjtë, duke e konsideruar veten si viktima të varfërisë.
Për të kuptuar më mirë dhe sqaruar më shumë situatën e vështirë të zonjës duhet të kthehemi pas në kohë, më 12 tetor 2022, raporton tch.