Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës do të paguajnë çmimin e “veprimeve të pamatura të kryeministrit Albin Kurti”, duke vlerësuar dëmin e pariparueshëm që po i shkaktohet vendit.
Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, ka shprehur shqetësimin e saj për rrezikun që Kosova mund të përballet me mundësinë pezullimit të liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian.
Ahmetaj ka theksuar se dëmi që kjo situatë do t’i shkaktojë Kosovës është i pariparueshëm, duke prekur jo vetëm ndihmat monetare dhe politike, por edhe përparimin e deritanishëm të vendit në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Po ashtu, ajo ka thënë se humbja e ndihmave financiare nga BE-ja dhe ShBA-ja, si dhe mundësia për pezullimin e liberalizimit të vizave, do të sjellin pasoja të rënda politike për Kosovën, duke e kthyer vendin në pikën zero.
Duke e konsideruar kryeministrin Albin Kurti si një partner të pa besueshëm, Ahmetaj ka thënë se BE-ja është e detyruar të marrë masa të tilla drastike dhe radikale.
“Ky është një ndëshkim për kryeministrin drejtpërdrejt, por ata që do ta paguajnë çmimin janë qytetarët e Kosovës. Për vendime kryeneçe, për analfabetizëm në politik, për shkurtpamësi në rrezikojmë që qytetarët e Kosovës ta paguajnë çmimin e madh. Duke parë që kanë të bëjnë me një partner siç është kryeministrit Kurti, një njeri që nuk mund t’i besohet dhe detyrohet BE-ja të marrë masa kaq drastike dhe radikale”, ka deklaruar ajo.
Ajo gjithashtu ka shprehur shqetësimin e saj për tërheqjen e ndihmës amerikane nga të gjitha aspektet, duke e konsideruar një humbje të rëndë politike për vendin.
“Proceset e integrimit dhe përparimi që Kosova ka arritur deri tani po vijnë në rrezik”, ka thënë Ahmetaj, duke e quajtur çështjen e liberalizimit të vizave si një pikë në oqean.
Ndër të tjera, ajo ka deklaruar se dëmi politik që po i shkaktohet dhe do t’i shkaktohet Kosovës është shumë i madh dhe tashmë po ballafaqohet me këtë situatë.
“Dua të them që dëmi që po i bëhet dhe do t’i bëhet Kosovës është i pariparueshëm. Nuk e ka vetëm vlerën monetare të ndihmave qofte monetare apo financiare qoftë të atyre BE-së dhe SHBA-së, sa do të jenë dëme politike të cilat Kosovës do t’i duhet kohë e kohë për tu kthyer në pikën zero. Kjo është problemi më i madh që Kosova do të ballafaqohet, dhe po ballafaqohet tashmë. Të gjitha proceset jemi duke i kthyer pas, çështja e liberalizimit të vizave është një pikë në oqean, brengë më e madhe e imja është tërheqja e tanishme nga “Defender 23”, tërheqja e ndihmës amerikane nga të gjitha aspektet. Por e them që dëmi politik që po i bëhet dhe do t’i bëhet është shumë i madh”, ka deklaruar ajo në emisionin FIVE.
Gjithashtu, Ahmetaj ka thënë se ndëshkimi nga ndërkombëtarët do të jetë drejtpërdrejt për kryeministrin, por qytetarët e Kosovës do të paguajnë çmimin e “këtyre vendimeve të kryeneça, analfabetizmit në politik dhe shkurtpamësisë”.
Ajo ka shtuar se proceset që vendet kalojnë kanë pjesën teknike dhe pjesën politike, dhe aktualisht është momenti politik.
Megjithatë, ajo ka shpresë se kjo vërejtje do të konsiderohet si një sinjal dhe të mos formalizohet në mënyrë që sipas saj, qytetarët e Kosovës të mos paguajnë për veprimet e papërgjegjshme të kryeministrit Kurti./RTV Dukagjini/