Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili javë më parë është larguar nga të gjitha pozitat në Nismën Socialdemokrate, sot ka aderuar në AAK.
Këtë e ka bërë të ditur lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook.
Përveç Hasanit, AAK-së i janë bashkuar edhe një ekonomist një profesor dhe një stomatolog.
“Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës iu bashkuan sot ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, asamblistja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, profesoresha Anila Tusha-Kastrati, Abdyl Brestovci, ekonomist i shquar dhe Burhan Arifi, stomatolog i njohur. Interesimi për t’iu bashkuar vizionit të AAK-së për shtetin e fortë, është i jashtëzakonshëm dhe kjo na inkurajon që të punojmë pandalshëm në shërbim të vendit. Të sapoaderuarit, profesionistë të respektuar, i falënderova për besimin duke iu uruar që përvojën politike ta shfrytëzojnë më së miri në familjen e madhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në të mirë të qytetarëve të Gjilanit, Anamoravës dhe tërë Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Ndërkaq, pas largimit nga NISMA, Bajram Hasani pati thënë se në partinë që i përkiste ndryshuan njerëzit sapo u shijuan privilegjet e pushtetit.
“Ata me të cilët e kaluam këtë rrugë të gjatë, të vështirë e plot sfida ndërruan faqe sapo shijuan privilegjet që t’i jep pushteti e paraja. Nuk desha dhe kurrë nuk do të dua të shkelë mbi djersën e njerëzve më të mirë të këtij vendi.
Prandaj rrugët tona u ndanë. Kush më njeh e di mirë që unë kur e mbylli një kapitull nuk e kthej kokën prapa dhe as që dua të diskutoj, sepse nuk kam frikë nga asnjë gjë që e kam bërë gjatë punës. Thjeshtë ne nuk shikonim në drejtim të njëjtë me drejtuesit e partisë”, kishte thënë Hasani më 28 qershor./Telegrafi/