Site icon Telegrafi

Ish-komandanti rus kritikoi Putinin: Hesht, mos e hap gojën

Blogeri ushtarak dhe ish-komandanti rus, Igor Girkin, ka kritikuar sërish Vladimir Putinin, duke thënë se presidenti duhet të hesht rreth pushtimit më të gjerë.

Në një video të publikuar në Telegram, ish-oficeri i FSB-së, i cili ka udhëhequr forcat e mbështetura nga Moska në rajonin e Donbas që nga viti 2014, tha se Putini nuk sillet sikur është presidenti i “një vendi të madh me mbi 1000 vjet histori”.

Girkin u tall me arsyen që Putin tha javën e kaluar se pse Rusia nuk e pushtoi Ukrainën në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë, kur ushtria e Kievit ishte “e kalbur dhe e dobët”.

“Ai filloi të na thoshte se ne nuk kemi armë hipersonike. Përsëri ai filloi të thoshte se po e tërhiqnin nga hunda dhe dukej se i mungonte besimi”, tha Girkin.

“Këshilla që mund t’i jap, ose më mirë shkrimtarëve të fjalimeve të tij, është të heshtë. Ai nuk duhet ta hapë gojën”, tha Girkin, i cili besonte se kjo do të ishte më mirë sesa “ndonjë justifikim jonormal me të cilin mund të qeshësh”.

Putin tregoi se një nga arsyet ishte mungesa e raketave hipersonike Kinzhal, pohoi ai.

Girkin u tall me këto shpjegime, duke theksuar se Rusia përdori raketa të tilla vetëm tre herë në gjysmën e parë të luftës, sipas të dhënave të raportuara nga mediat ruse.

Sipas Girkin, mund të qeshësh vetëm me fjalët e Putinit, sepse, duke pasur parasysh faktet, një tregim i tillë nuk ka kuptim. Ai shtoi se tani që Rusia i ka këto raketa, ajo nuk mund të bëjë përparim të rëndësishëm në Ukrainë. /Telegrafi/

Exit mobile version