Site icon Telegrafi

Ish-hetuesi i policisë: Politikani serb Boban Bogdanoviq ka kërkuar azil politik në Kosovë për shkak të Radoiçiqit

Ish-hetuesi policor në veri, Murat Mehmeti ka thënë se kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor” Boban Bogdanoviq ka kërkuar azil politik në Kosovë për shkak të Milan Radoiçiqit.

Mehmeti ka thënë se ai ka kërkuar strehim politik pasi është ndjerë i rrezikuar.

“Personin i cili ka ardh nga Beogradi këtu në favor të zbardhjes së rastit. I njëjti person që ka kontribuar në zbardhjen e këtij rasti për vrasjen e Oliver Ivanoviqit është detyruar para pak ditësh të kërkojë azil. Ka kërkuar azil politik në Kosovë. Ai ka ardhur të dëshmojë në lidhje me rrjetin e personave të Radoiçiqit. Është njëfarë mjegullie, nuk e di interesin e tij konkret, nuk e di që ka pasë qëllim të krijojë mjegulli më shumë sesa që ka në dosje”, ka thënë Mehmeti, për RTV Dukagjini.

Milan Radoiçiq bashkë me afaristin tjetër nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dyshohen për ndërlidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Oliver Ivanoviq ka qenë lider i subjektit opozitar Iniciativa Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” i cili është vrarë para selisë së këtij subjekti në Mitrovicën e Veriut, nga të shtënat prej revoles, në janar të vitit 2018.

Lexo po ashtu Politikani serb, Bogdanoviq: Gjithmonë do t'i kërkoj falje popullit shqiptar për krimet që kriminelët serbë i kanë kryer

Në rastin për vrasjen e Ivanoviqit po gjykohen gjashtë persona, katër prej tyre ish-policë.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Zyrtarët policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Para pak ditësh, Prokuroria Speciale (PS) ka ngritur aktakuzë ndaj një personi në rastin e Oliver Ivanoviqit.

Prokuroria ka njoftuar se aktakuza është ngritur ndaj të pandehurit M.M, për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, ‘’Kanosja” dhe ‘’Falsifikimi i dokumenteve”. /Dukagjini/

Exit mobile version