Duke kërkuar nga subjektet politike, zgjidhje për situatën aktuale në Kosovë, u shënua sot 26 vjetori i themelimit të Degës së Tretë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e njohur si “Dega e Presidentit Rugova”. Kjo degë, dekoroi bashkëshorten e ish-presidentit Rugova, me titullin e anëtares së nderit të kësaj dege.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, ish-kryeparlamentari, dikur edhe anëtar i LDK –së, Nexhat Daci si dhe anëtarë të familjes së presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa duke uruar këtë degë për 26 vjetorin, ftoi të gjithë anëtarët e LDK-së që të punojnë për forcimin e kësaj partie, dhe të gjithë Kosovës.
“Ju ftojë që të punojmë bashkë që ta forcojmë LDK-në dhe ta forcojmë Kosovën. Ky është misioni dhe detyra jonë. Unë besoj që çdo anëtarë i LDK-së dhe çdo qytetarë i Republikës së Kosovës ka qëllime të mira pë r Kosovën, ka aspirata që Kosova të forcohet, të bëhet shtet demokratik dhe shtet i familjes euroatlantike”, tha ai.
Ndërsa kryetari i kësaj dege të LDK-së, Hazir Borovci tha se Dega e Tretë e LDK-së ka përkrahur presidentin historik Ibrahim Rugova, ish-presidentin Fatmir Sejdiu dhe përkrah kryetarin e LDK-së dhe kryeministrin, Isa Mustafa.
Duke thënë se filozofia e LDK-së është mirëkuptimi, Borovci tha se Kosova po kalon periudhën, ndoshta, më të vështirë si pasojë e mos-respektit të institucioneve të vendit nga ana e subjekteve politike.
Ai bëri thirrje që subjektet politike të gjejnë zgjidhje për këtë situatë, duke deklaruar se vendit po i dëmtohet imazhi dhe po i zbehet mbështetja ndërkombëtare.
Gjatë tërë kësaj ceremonie të shënimit të këtij përvjetori, të ftuarit, Fatmir Sejdiu, i cili është edhe kryetar nderi i LDK-së, dhe ish- anëtari i kësaj partie, Nexhat Daci, qëndruan të distancuar nga kryesia e kësaj partie. Madje, pas përfundimit të fjalimeve Daci doli nga kjo ceremoni pa përshëndetur kryeministrin, Fatmir Sejdiun, dhe të anëtarë të kryesisë së LDK-së.
Në këtë ceremoni, të pranishëm nuk ishin anëtarët e kësaj partie, deputetët në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi dhe Vjosa Osmani.
Ndryshe, në këtë ceremoni u tha se LDK-së i janë shtuar edhe 184 anëtarë të rinj, ndërsa 26 prej tyre sot morën librezat e anëtarësimit.