Site icon Telegrafi

Irani e quan Netanyahun “gënjeshtar famëkeq”

Irani e quajti kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, “gënjeshtar famëkeq”, pas akuzave të tij se Republika Islamike po zhvillon fshehtas programin bërthamor.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Bahram Ghasemi, tha se akuzat janë “të padobishme dhe të turpshme”.

“Akuzat vijnë nga një gënjeshtar famëkeq, i cili nuk ka asgjë për të ofruar përveç mashtrimeve”, tha Ghasemi duke iu referuar Netanyahut.

“Netanyahu dhe regjimi sionist, famëkeq, fëmijëvrasës duhet të dinë se njerëzit në botë kanë vetëdije dhe njohuri të mjaftueshme”, shtoi Ghasemi.

Netanyahu tha të hënën në një prezantim televiziv se ai ka “prova” se Irani ka program të fshehtë të armëve bërthamore.

Por, ai nuk tha se ka dëshmi se armiku kryesor i Izraelit ka punuar në mënyrë aktive për të krijuar armë atomike, që nga marrëveshja e vitit 2015 midis Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore.

Me këtë marrëveshje, Irani është pajtuar të frenojë aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Akuzat e Netanyahut vijnë në kohën kur SHBA-ja po shqyrton nëse do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore ose jo.

Irani vazhdimisht e ka mohuar se synon të krijojë armë bërthamore, duke thënë se programi i tij atomik ka vetëm qëllime civile.

Exit mobile version