Site icon Telegrafi

Arrestohet edhe qytetari që dyshohet se i dha ryshfet zyrtarit policor në Gjakovë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njoftoi të shtunën se ka arrestuar qytetarin, i cili dyshohet për dhënie të ryshfetit ndaj një zyrtari policor.

Sipas njoftimit, veprimet hetimore janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë kurse të dyshuarit i caktuar masa e ndalimit për 48 orë .

“Në kuadër të këtij hetimi, me udhëzim të Prokurorisë së Gjakovës, IPK-ja kishte iniciuar procedurë penale ndaj qytetarit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Dhënia e ryshfetit’ (duke i ofruar zyrtarit policor 1000 Euro)”, thuhet në komunikatën për media.

Lexo po ashtu Plotësoi vendime për kundërvajtje fiktive me të dhëna të pasakta të qytetarëve – arrestohet polici në Gjakovë i dyshuar për ryshfet

Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Lidhur me rastin, IPK-ja njoftoi gjatë ditës se ka arrestuar edhe zyrtarin policor nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Marrje ryshfeti”.

“Bazuar në veprimet hetimore që hetuesit e IPK-së kanë realizuar deri më tani, dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1000 euro për të plotësuar dy vendime për kundërvajtje (fiktive), njëra me vlerë prej 500 euro, me 3 pikë negative dhe masë mbrojtëse prej 1 viti dhe tjetra në vlerë prej 200 euro duke përdorur të dhënat e pasakta të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Pas disa veprimeve hetimore dhe operative në teren, nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Gjakovë zyrtari policor (zyrtar i Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor – Drejtoria Rajonale e Policisë Gjakovë) kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. /Telegrafi/

Exit mobile version