Hero kombëtar i rumunëve është Vlladi III Drakulla. Pse? Sepse e sfidoi Perandorinë Osmane. Vetëm për këtë. Në botë ai njihet më shumë si Konti Drakulla, sipas shkrimtarit irlandez Bram Stoker që për personazhin e vampirit gjakpirës frymëzohet paksa nga jeta e Vlladit. Por, mizoritë e tij për të cilat jemi pak të njohur, njihen më së miri e më së lehti nga pjesët e reja të dokudramës të realizuar në mënyrë të shkëlqyeshme, “Rise of Empires: Ottoman”, me skenar të amerikanes Kelly McPherson (që këto ditë doli në Netflix). Në këtë dokudramë flasin edhe historianët rumunë, turq, anglezë e amerikanë.
Babai i Vlladit ishte vasal i Sulltan Muratit II. I dyshuar për komplote ndaj Perandorisë Osmane, për të dëshmuar besnikërinë ndaj sulltanit ai i dorëzon pa kokëçarje dy djemtë e vet, Vlladin dhe Radunë. Nëse sërish tradhton, djemtë e tij do të vriten.
Vlladi dhe Radu jetojnë në pallatin perandorak në Edrene, dhe rriten si vëllezër të sulltanit të ardhshëm, Mehmetit – Pushtuesit. Edhe kur babai i tyre sërish tradhton, jetët e tyre kursehen. Me ndihmën e Mehmetit, më vonë Vlladi merr pushtetin në vendin e tij të trazuar nga aristokracia lokale, si Princ i Vllahisë – vasal i Perandorisë Osmane. Dhe, çfarë bën ai atje: i thellon mjerimet duke ngulur njerëzit në hunj; secilin që shihte si kundërshtar, për çfarë merr epitetin Vllad Tepesh (që në shqip mund të përkthehet si Vllad Ngulitësi). Ndërkohë, shpreson se do të organizohet një Kryqëzatë e re nga Vatikani, të cilën ai do ta udhëhiqte. Kjo shton dëshirën e tij për të sundim të pavarur, duke menduar se ka mbështetjen e të tjerëve, sidomos të Mbretërisë së Hungarisë. Por, Perëndimi edhe Skënderbeut i premtonte kryqëzata, ndërsa e vërteta është se me këtë shpresë mbahej gjallë rezistenca e të tjerëve: që të tjerët ta pësonin, të lodheshin osmanët në tokat e huaja për të mos marshuar tutje.
I vetëdijshëm se sulltani do të sulmojë, Vlladi lë shkret vendet ku shkel. Në Bullgari vret mbi 20 mijë civilë, veshët e të cilëve i koleksionon dhe ia dërgon mbretit të Hungarisë si dëshmi se meriton mbështetjen. Edhe historiani bullgar Anton Minkov, që ligjëron në Kanada, përmend se shkatërrimet më të mëdha në Bullgari i kanë bërë ushtritë e krishtera jo osmane. Gjatë marshimit të ushtrisë osmane të udhëhequr nga Mehmeti, ku merr pjesë edhe Radu (e donte vëllain Vllad, por e dinte se nëse i bashkohet, si mizor që ai ishte do ta vriste edhe atë dhe se vendi nuk e meriton sundimin e një krimineli), Vlladi shkatërron dhe vret banorët e çdo vendbanimi rumunë ku ata kalojnë. Në fund, i tradhtuar nga hungarezët dhe kur humb betejën dhe kupton se kryeqyteti i tij Targovishti do të bie në duar të osmanëve, i ngulë në hunj mbi 20 mijë banorë, për t’ua dorëzuar osmanëve një qytet fantazmë. Skenat e tilla makabre, e shtyjnë Mehmetin të gjunjëzohet dhe të qajë. Mesjeta ka qenë mizore, por mizoritë e Vlladit kanë qenë të papara. Dhe, dokumentari (pra, sipas një amerikaneje, ku flasin edhe historianët që ligjërojnë në universitete të njohura), është i realizuar pa anime. Madje, sundimin osman e paraqesin shumë më human se atë të aristokracive lokale në Ballkan. Këtë e thotë edhe Mark Mazoweri, se Ballkani ka qenë në kaos, mizor, me luftëra mes popujve dhe mes aristokratëve të të njëjtin popull. Përçarjet e brendshme mundësuan avancimin e lehtë të osmanëve edhe për faktin se ndihma e tyre kërkohej nga vendasit. Siç dihet, Topiajt i ftojnë osmanët për të luftuar kundër Balshajve.
Pushtetin në Vllahi më 1462 e merr Radu. Për 400 vjetët e ardhshme, Rumania mbetet shtet vasal i Perandorisë Osmane. Duhet cekur se përmbysjen e Vlladit e kërkonin edhe fisnikët tjerë, sepse vendi ishte i lodhur nga mizoritë e kohortave të tij të vdekjes. Radu e shpëtoi Vllahinë dhe e ruajti bërthamën e shtetit të sotëm rumun. Por, hero i rumunëve mbetet Vlladi, sepse sfidoi një prej sundimtarëve më të famshëm në histori, Mehmet Pushtuesin. Plani i Vlladit ishte ta vriste Mehmetin dhe trashëgimtarin e tij, por nuk ia doli. Një historian rumun thotë se nëse do t’ia dilte të vriste pushtuesin e qytetit të Kostandinopojës (që Perëndimi e ka portretizuar gjithmonë me urrejtje dhe si dekadent, ndonëse ishte më i përparuar, ndërsa banorët Kostandinopojës e kanë parë me urrejtje Perëndimin), që për gati dy mijë vjet kësaj askush nuk ia doli (as perëndimorët, pos kur futen me tradhti gjatë Kryqëzatës së Katërt, më 1204, gjë që njihet si ora e zezë e Kostandinopojës e jo ajo e pushtimit osman), ai do të ishte hero edhe për Perëndimin. Sot është hero vetëm i rumunëve (të cilëve vetëm të zeza ua ka sjell), ndërsa në Perëndimin e përparuar ku historia sot nuk mbështetet në ideologji e gënjeshtra, ai shihet si strateg ushtarak, si trim, por edhe si një nga njerëzit më mizor të historisë. /Telegrafi/