Interi ka shënuar fitore me rezultat 3-1 ndaj Parmas në shtëpi në kuadër të javës së 15-të në elitën e futbollit italian.
Rasti i parë serioz për vendasit erdhi në minutën e17-të kur Denzel Dumfries humbi një mundësi të mirë duke goditur shtyllën.
Golin e avantazhit Interi e shënoi në minutën e 40-të përmes Federico Dimarcos i cili realizoi për 1-0 pas asistimit të Henrikh Mkhitaryan.
Me të filluar pjesa e dytë ‘Nerazzurrët’ e gjetën edhe golin e dytë kësaj radhe me Nicolo Barellan i cili në minutën e 56-të shënoi për 2-0.
Lautaro Martinez shpërdoroi një tjetër rast të mirë shënimi në minutën e 59-të, pasi golin atij ia mohoi portieri Zion Suzuki.
Të tretin për Interin e realizoi Marcus Thuram i cili në minutën e 67-të pranoi një pasim të bukur nga Yann Bisseck për 3-0.
Goli i vetëm i mysafirëve në këtë takim në fakt ishte një autogol i Matteo Darmian (81’) i cili në përpjekje për ta bllokuar një krosim e dërgoi topin në rrjetën e portës së tij.
Me këtë fitore Interi shkon në kuotën e 31 pikëve dhe mban pozitën e tretë në tabelë me vetëm një më pak se lideri Napoli që ka 32 sosh./Telegrafi/