Interi dhe Barcelona kanë barazuar (1-1) në ndeshjen e xhiros së katërt të fazës grupore të Ligës së Kampionëve që u zhvillua në Giuseppe Meazza në Milano.
Gjysma e parë nuk prodhoi gola, ndërsa Blaugranët bënë paraqitje më të mirë duke krijuar më shumë raste para portës kundërshtare.
Luis Suarez i pati shanset më të mira në këtë pjesëlojë, mirëpo nuk arriti që të shënonte për skuadrën mysafire.
Edhe në gjysmën e dytë, katalunasit vazhduan të sulmonin, mirëpo Samir Handanovic nuk lejonte që të prekej porta e tij.
Mirëpo, vetëm dy minuta pasi hyri në lojë, Malcom e zhbllokoi rezultatin duke shënuar për epërsinë e mysafirëve.
Epërsia e katalunasve nuk zgjati shumë, pasi Mauro Icardi u gjend më së miri në zonë për ta barazuar rezultatin (87′).
Pas katër xhirove në Grupin B, Barcelona ka arritur tri fitore dhe një barazim dhe është në krye të grupit me dhjetë pikë dhe tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.
Interi është në vend të dytë në grup me shtatë pikë, nga dy fitore, një barazim dhe një humbje.
Në xhiron e ardhshme, Barca udhëton te PSV Eindhoveni, kurse Interi është mysafir i Tottenham Hotspurit. /Telegrafi/