Telegrafi

Interi i bashkohet garës për transferimin e mbrojtësit të Arsenalit

Bologna nuk është ekipi i vetëm në Serie A që ka shprehur interesim për mbrojtësin e Arsenalit, Jakub Kiwior, pasi edhe Interi janë të gatshëm të bëjnë një ofertë.

Reprezentuesi polak nuk është i panjohur me futbollin italian, pasi më herët kishte luajtur në radhët e Spezias dhe nga aty fitoi transferimin në Londër në janar të vitit të kaluar për 19.5 milionë euro.

Sidoqoftë, ai ka pasur vështirësi që të luajë rregullisht me ‘Topçinjtë’, pasi ka bërë vetëm 38 paraqitje duke kontribuar me dy gola dhe tri asistime.

24-vjeçari ishte përmendur si opsion për t’u përfshirë në marrëveshjen me Bolognan për Riccardo Calafiorin, por polaku e refuzoi këtë mundësi, pasi deshi një klub më ambicioz.

Lexo po ashtu Interi po mendon për vitin 2025 – synohet transferimi i yllit të Aston Villës

Tani Gazzetta dello Sport sugjeron se Interi i është bashkuar garës dhe janë duke kërkuar Kiwiorin për ta përforcuar mbrojtjen.

Marrëveshja për transferimin e tij mund të jetë huazim me të drejtë blerje, pasi Tajon Buchanan do të jetë jashtë fushave për katër deri në pesë muaj për shkak se theu këmbën në Copa America me Kanadanë.

Me Carlos Auguston që do aktivizohet në krah të majtë, Interi po kërkon një qendërmbrojtës që luan me këmbën e majtë dhe mund të luajë në atë krah nëse kërkohet.

Përveç këtyre dy klubeve edhe Milani dhe Juventusi kanë shprehur interesim për Kiwior, por që janë më mbrapa në garë./Telegrafi/