Site icon Telegrafi

Interesim i madh për blerjen e kurbanëve në Prishtinë

Si çdo vit edhe sivjet shumë tregtarë kanë sjellë kafshët e tyre për t’i shitur për kurban.

Që nga mëngjesi interesimi për kurbanet ishte mjaft i madh, por në orët e mesditës fluksi u shtua edhe më shumë.

Njëri nga tregtarët ishte edhe Baki Gashi. Ai ka sjellë mbi 30 kurban për të cilët është kujdesur vetë gjatë vitit.

“Ka të interesuar për të blerë kurban. Nesër presim interesim edhe më të madh”, shprehet blegtori.

Më të interesuarit për kurban ishin bashkatdhetarët tanë që jetojnë në shtetet perëndimore.

Esat Gashi që kishte ardhur nga Belgjika me familje për pushime, thotë se kurbanin e kanë pasur traditë familjare.

“Është traditë e jona si myslimanë. Babë e babagjysh e kanë festuar gjithmonë bajramin dhe kanë flijuar kurban”, deklaroi për RTV Dukagjinin Esat Gashi, përcjell Telegrafi.

Mishi i kurbanit sipas rregullave islame duhet të ndahet në tre pjesë.

Njëra ndahet për të varfrit, një tjetër pjesë iu dhurohet fqinjëve dhe pjesa tjetër mbahet për nevojat familjare.

Edhe Zymber Krasniqi që kishte ardhur nga mërgata kishte vendosur të sakrifikonte kurban dhe se mishin do ta ndante në bazë të rregullave.

Mirëpo kishte edhe nga ata që në treg nuk kishin dalë për të shitur kurban.

Hajrullah Hasani në tregun e kurbaneve kishte dalë për të shitur produkte tjera.

“Kemi dalë për të shitur diçka për Bajram. Do të qëndrojmë sa të është pazari”, deklaroi Hasani./Telegrafi/

Exit mobile version