Telegrafi

Interesim i madh në Festivalin e Filmit në Sarajevë për të parë dokumentarin “Bekim Fehmiu”

Foto: Screenshot/Facebook

Në edicionin e 30-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë u shfaq dokumentari me regji të Valmir Tertinit, “Bekim Fehmiu”.

Për këtë dokumentar u deshën rreth pesë vite që të realizohet, teksa nga gjashtë shtete ku u xhirua, ishte pjesë edhe Sarajeva – vendlindja e aktorit me origjinë shqiptare.

Regjisori i njohur ka shprehur emocionet nga premeria me anë të një shkrimi të ndarë në rrjete sociale.

Foto: Screenshot/Facebook

Postimi i plotë i Tertinit (pa ndërhyrje):

“Më thanë që dokumentari do të shfaqej në sallën më të madhe që ka Cineplexx, sepse interesimi ishte i jashtëzakonshëm. Shumica e publikut kishte blerë biletat ende pa filluar festivali.

Pas provës së fundit teknike, dola në hollin e kinemasë dhe pashë shumë njerëz. Mendova se ndoshta kishte filma të tjerë në shfaqje, por Hana më tha që të gjithë këta ishin aty për dokumentarin.

Rada prezantoi dokumentarin, dhe pas përfundimit, më prisnin pyetjet e publikut. Prisja provokime, por ndodhi e kundërta.

Kolegët kineastë vlerësuan qasjen regjisoriale, pjesëtarët e moshës së tretë faktin që figura e Bekimit nuk është harruar dhe mënyrën se si ishte trajtuar pa politizim, ndërsa të rinjtë u njohën me personalitetin e aktorit të parë nga Evropa Lindore që arriti të prekë Hollywood-in.

Pa dyshim, suksesi i këtij dokumentari është rezultat i përkushtimit të jashtëzakonshëm të çdo anëtari të stafit realizues, që bëri të mundur këtë arritje, edhe pse rrugëtimi nuk ishte i lehtë”. /Telegrafi/