Nga: Alex Daniel / The Guardian
Përkthimi (me shkurtime): Telegrafi.com
Në prill të vitit 2012, Tim Meeks ishte në një panair të produkteve muzikore – në Anaheim të Kalifornisë, kur dikush atë e prek në krah. Stevie Wonder është në qytet. Ka dëgjuar për instrumentin që Meeksi ka shpikur – një hibrid mes kitarës dhe pianos të quajtur harpexhi [harpejji] – dhe donte ta provojë. Disa minuta më vonë, të dy burrat u përkulën mbi instrument, të rrethuar nga pesë truproja, teksa Meeksi lëvizte gishtat e muzikantit të verbër, për t’i treguar se si të interpretojë. “Më pëlqen”, tha Wonderi. “Sa shpejt mund ta marr një të tillë”?
Kjo ishte pika e kthesës për Meeksin, i cili nga viti 2007 ka ndërtuar dhe ka shitur harpexhi nga punishtja e vet në Merilend. Fillimisht, shitjet ishin të ngadalta. Por, performanca nga Wonderi – plus mbështetjet nga Jacob Collier, Harry Connick Jr dhe producenti i xhazit Cory Henry – e ndryshuar situatën. Marcodi Musical Products, kompania e Meeksit, arriti të shesë afro 1500 prej tyre, duke e bërë një nga të paktët njerëz të gjallë që kanë shpikur instrument të ri të suksesshëm.
“Jam muzikant nën mesatare. Mendimi që unë t’i tregoja Stevie Wonderit se si të interpretojë, kjo është diçka absurde”, thotë Meeksi. “Por, gjithçka ka të bëjë me artistët. Stevie mund të zgjedhë çdo instrument që dëshiron, dhe nëse ai dëshiron të interpretojë, njerëzit bëjnë mirë t’ia kushtojnë vëmendjen”.
Harpexhi me madhësi të plotë është rreth një metër i gjatë dhe shitet për 5,100 funte. Trupi mban 24 tela. Funksionon paksa si një piano – por, në vend që të shtypni një tast, i shtypni telat – dhe paksa si një kitare elektrike ku magnetet e dërgojnë tingullin në përforcues. “Doja të tingëllonte si instrument organik me tela, por të përdorja pianon në vend që ta mësoja kitarën për tre vjet”, thotë Meeks. “Mendoj se shumë nga shpikjet më të mira vijnë nga dembelizmi”.
Timbri është i ngjashëm me kitarën. “Kisha mijëra tinguj të disponueshëm në një tastierë, por asnjëri prej tyre nuk ishte i mirë”, thotë Meeks. “Përpiqesha të mahnitja botën me një tingull të ri, por ta gjeja një mënyrë të re për të menduar për të interpretuar muzikën”.
Krijimi i instrumenteve është fushë në zhvillim. Shkolla të tëra i përkushtohen kësaj. Studiuesja Lia Mice ka zhvilluar, ndër të tjera, një violinë që luhet me një dorë (e projektuar për personat me aftësi të kufizuara). Madje, ka edhe një garë vjetore për zbuluesit e instrumenteve. Sidoqoftë, edhe shpikjet më të vlerësuara rrallë e kalojnë fazën e prototipit. Teksa shekulli XX solli kitarat elektrike, makineritë e baterive dhe sintetizuesit, popullarizimi i instrumenti të ri tashti është punë më e ndërlikuar. Një pjesë e problemit është se artistët mund të prodhojnë çdo tingull, duke e përdorur një kompjuter, thotë Steve Dunnington, shefi i zhvillimit të produkteve në Moog.
Meeks mendon se shumë shpikës zbresin në vrimat teknologjike të lepurit, në vend që të bëjnë diçka të përdorshme. Shumica e muzikantëve “thjesht duan ta kenë një zë”, thotë ai. “Shumë prej këtyre [instrumenteve] janë të lezetshme, kanë veçori dhe janë të fuqishme. Por, a dëshiron vërtet dikush të luajë me to, t’i mësojë apo të shkojë dhe të shohë dikën tjetër të performojë me to”?
Ndërkohë, harpexhi arri në një milion dollarë shitje më 2023 – një vit rekord – dhe Marcodi Musical Products së fundmi u zhvendos në ambiente më të mëdha pranë Baltimorit. /Telegrafi/