Instituti GAP ka publikuar raportin e tetë mbi transparencën buxhetore të komunave në Kosovë, i cili vlerëson transparencën bazuar në numrin e dokumenteve buxhetore të publikuara, organizimin e dëgjimeve buxhetore me qytetarë, si dhe përgjigjet e komunave në kërkesat e Institutit GAP për qasje në dokumente publike.
Në rajonin e Pejës, komuna e Klinës ka arritur një rezultat të shkëlqyer me 80 pikë, duke u renditur në kuartilin e mesëm të lartë për transparencë buxhetore.
Komuna e Klinës sipas raportit nga Instituti GAP ka publikuar të gjitha dokumentet buxhetore në formatet ‘Excel’ dhe ‘Word’, përveç kartelës analitike të kontos, që ka ndikuar që komuna të mos marrë pikët maksimale.
Po ashtu Komuna e Klinës ka organizuar të paktën katër dëgjime buxhetore me qytetarët dhe ka dhënë përgjigje pozitive për kërkesat për qasje në informacion.
Edhe Komuna e Istogut renditet në kuartilin e mesëm të lartë, e cila ka grumbulluar gjithsej 72.5 pikë.
Kjo Komunë ka publikuar dokumente të rëndësishme, si raportet financiare për TM1, TM2 dhe TM3, buxhetin për vitin 2024 dhe listën e përfituesve të subvencioneve për vitin 2023.
Por dokumente të tjera, si kartela analitike e kontos për shpenzimet e buxhetit, sipas Institutit GAP nuk janë ende të qasshme online.
Komuna ka dhënë përgjigje pozitive ndaj kërkesave për qasje në dokumente publike dhe ka organizuar të paktën katër dëgjime me qytetarët.
Ndërsa Komuna e Deçanit ka arritur gjithsej 62.5 pikë dhe është renditur në kuartilin e mesëm të ulët për transparencën buxhetore.
Sipas Institutit GAP të gjitha dokumentet e publikuara janë në format ‘PDF të skanuar’, përfshirë raportet financiare për TM1, TM2 dhe TM3, buxhetin për vitin 2024 dhe rregulloren për ndarjen e subvencioneve.
Po ashtu Komuna e Deçanit ka dhënë përgjigje pozitive ndaj kërkesave për qasje në dokumente publike dhe ka organizuar të paktën katër dëgjime buxhetore me qytetarët.
Ndërsa për shkaqe të problemeve teknike disa komuna kanë mbetur jashtë këtij raporti siç është komuna e Pejës. /Telegrafi/