Site icon Telegrafi

Institucionet heshtin për vonimin e regjistrimit të Xhamisë së Larme në UNESCO

Bashkësia Islame dhe Myftinia e Tetovës heshtin lidhur me kërkesën e institucioneve të mbrojtjes së trashëgimisë për të vijuar me procesin e regjistrimit të kompleksit fetar Xhamia e Larme në Tetovë, si pjesë e trashëgimisë botërore të kulturës në UNESCO, shkruan gazeta Koha. Prej më shumë se një muaj ky monument është shpallur me një vendim të Qeverisë “trashëgimi kulturore e një rëndësie të veçantë me nënkategori – e rëndësisë së jashtëzakonshme”.

Ndërkohë që në Këshillin Nacional të Trashëgimisë procedura për plotësimin e kësaj dosje për t’u paraqitur në UNESCO ka mbetur pezull, për shkak se Myftinia e Tetovës dhe Bashkësia Islame që janë pronarë të objektit nuk kanë dhënë asnjë lloj përgjigje lidhur me dakordimin ose mospëlqimin për të evidentuar kompleksin në regjistrin e trashëgimisë botërore.

Nga KNT sqarojnë se elaborati është gati dhe dosja i përmbush të gjitha kushtet. Në Myftini, ashtu si edhe në BIM refuzojnë çdo lloj komenti. “Kemi qëndrim lidhur me këtë çështje”, thotë shkurt shefi i kabinetit të myftiut të Tetovës, Xhemil Sadiki, por pa sqaruar se çfarë nënkuptohet pas këtij qëndrimi.

Në vendimin e Ministrisë së Kulturës, Drejtorisë së Mbrojtjes së Trashëgimisë, ndër të tjera përligjen arsyet e vendimit për shpalljen trashëgimi e rëndësisë së veçantë. Për shkak të vlerës së vet arkitektonike, ndërtimore, historike, artistike dhe dokumentuese, karakteristikave që i ka si autentike, unikate…., funksionin teknik dhe kulturore, rëndësinë artistike dhe teknike të shprehur në konstruktin e saj, konceptin arkitektonik dhe organizimin funksional, ndikimet stilistike dhe elementet dekorative të fasadave, dekorimin piktoresk dhe unikat të ambienteve të brendshme, motivet gjeometrike dhe arabeskat e enterierit, që janë dëshmi e një kohe që meriton një interes më të gjerë për tu hulumtuar.

Drejtori i Qendrës Nacionale të Konservimit, Mehmet Selmani, të cilët kanë përgatitur edhe projektin për xhaminë e Larme thotë për Koha se për monumente të kësaj kategorie, që janë shumë të rralla në Maqedoni duhet që të sigurohet mbrojtja dhe mirëmbajtja e tyre, gjë që cila vështirë të supozohet se mund të arrihet nga shteti dhe as nga donacionet e herëpashershme nga organizata të huaja. Sipas tij, në këto raste nuk ka arsye as për hezitim, por edhe për refuzim nga pronari, pasi funksionet bazë dhe vetë objekti nuk tjetërsohen.

Në vendimin e qeverisë, drejtuar QNK, përcaktohet edhe regjimi mbrojtjes i shkallës së parë me një sërë masash mbrojtjeje, por edhe kufizimesh, mes të cilave ndalohet ndërtimi i objekteve të tjera në oborrin e xhamisë, apo edhe i përmendoreve në kufijtë e kompleksit, i vendosjes së afisheve reklamuese, instalime antenash e të ngjashme edhe çfarëdolloj mbishkrimesh, me përjashtim të shenjave oficiale dhe ndërkombëtare…

Exit mobile version