Site icon Telegrafi

Inspektorati i Kryeqytetit i reagon ministrit Peci: Lirimi i pronave është përgjegjësi e juaja, jo e Komunës

Foto: Arkiv

Inspektorati i Kryeqytetit ka reaguar ndaj deklaratës së fundit të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci lidhur me lirimin e një prone që i takon kësaj ministrie.

Drejtori i Inspektoratit të Kryeqytetit, Florian Dushi, ka pohuar se: “Mbrojtja dhe lirimi i pronave të ministrisë që udhëheq ministri është përgjegjësi e tij dhe e institucionit që ai drejton, dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Kryeqytetin apo Inspektoratin e Kryeqytetit.”

Sipas njoftimit thuhet se Dushi ka theksuar rëndësinë e mirëkuptimit të qartë të detyrave dhe përgjegjësive të caktuara nga legjislacioni në fuqi, duke vënë në dukje rolin specifik dhe të pavarur të Inspektoratit të Kryeqytetit në këto procese.

Lexo po ashtu Peci akuzon Komunën e Prishtinës për sabotim në zbatimin e aktgjykimeve, kërkon ndërhyrjen e Ministrisë së Mjedisit për lirimin e një hapësire

Ai shtoi: “Inspektorati i Kryeqytetit mbron dhe liron, sipas autorizimeve ligjore, vetëm pronën publike – atë të Kryeqytetit. Pavarësisht kësaj, ne kemi qenë gjithmonë bashkëpunues dhe kemi organizuar disa takime me zyrtarët e Ministrisë për t’i ndihmuar në sqarimin e procedurave ligjore dhe veprimeve të nevojshme për lirimin e pronës së tyre. Ne ishim të gatshëm të asistojmë edhe përmes kompanisë sonë të kontraktuar për rrënimin e ndërtimeve pa leje, por kemi marrë udhëzime nga Zyra Ligjore e Kryeqytetit se kontrata jonë vlen vetëm për Komunën e Prishtinës dhe nuk mund të aplikohet për institucione të tjera.”

Për këtë arsye, Inspektorati i Kryeqytetit thekson se nuk mund dhe nuk do të veprojë në kundërshtim me kontratën dhe ligjin, duke i përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e të tretëve, në këtë rast të ministrit Peci. /Telegrafi/

Exit mobile version