Nga: Agron Islami
Disfata e osmanëve në rrethimin dytë të Vjenës më 1683 dhe revanshi i Habsburgëve, në krye me Papatin i cili drejtonte Aleancën e Shenjtë kundër osmanëve, bëri që edhe Rusia t’i bashkohet kësaj aleance me hapjen e një fronti të ri antiosman.
Siç dihet, luftërat osmane me Aleancën e Shenjtë përfundojnë me Marrëveshjen e Paqes më 1699 në Karlovc dhe një vit më vonë edhe me një marrëveshje të veçantë me rusët. Nga këtu e tutje, këta të fundit (rusët) në njërën anë filluan së dhunuari zonat e sunduara nga osmanët rreth Detit të Zi dhe në anën tjetër punonin në shtrirjen e ndikimit tek ortodoksit e Ballkanit.
Në këtë areal të interesimit të diplomacisë ruse të kohës, futeshin edhe manastiret ortodokse në Kosovë.
Nga fundi i shekullit XIX, konsulli rus në Prizren kishte bërë të gjitha inskenimet e mundshme për të marrë primatin e mbrojtësit të këtyre manastireve. Kjo qasje e diplomatëve rusë për zyrtarët osmanë konsiderohej si përzierje në punët e brendshme.
Shembull konkret është edhe një shkresë e konsullit rus në Pejë, përmes së cilës njoftonte mytesarrifllikun e Pejës se, në dhomën e priftit të Manastirit të Deçanit janë dëgjuar dy krisma alltie dhe për këtë kërkonte që të bëhet një hetim. Sipas praktikës, Mytesarifi i Pejës çështjen e dërgoi tek valiu i Vilajetit të Kosovës dhe ky i fundit njoftoi Portën e Lartë. Përgjigja e zyrës së Sadriazamit osman në raport me këtë çështje ishte se është e papërshtatshme që Konsullata ruse të bëjë një kërkesë për një çështje që ka të bëjë me punët e brendshme të shtetit osman. Njëherësh, përmes valiut të Vilajetit të Kosovës paralajmërohej edhe mytesarifi i Pejës që të mos i përgjigjet një konsullate të huaj në raport me çështjet e brendshme (7 gusht 1892).