Infektologu Valbon Krasniqi thotë se në Klinikën Infektive janë të shtrirë 34 pacientë e që po marrin trajtimin mjekësor.
Krasniqi në RTV Dukagjini thotë se nga këta pacientë të prekur me COVID-19, tetë prej tyre janë në gjendje pak më të rënduar.
“Ata pos terapisë standarde kanë nevojë edhe për oksigjeno terapi, mirëpo gjendja e tyre është stabile dhe mjekët po kujdesen për ta”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Infektologu thotë se brenda ditës në Klinikën Infektive paraqiten rreth 30 pacientë të cilëve testet u kryhen një ditë më pas.
“Për momentin presim rezultatet për rreth 12 pacientë që kanë ardhur mbrëmë dhe sot paradite. Instituti i Shëndetit Publik mund të ketë sjellë edhe raste nga terreni dhe ne presim rezultatet gjatë kësaj mbrëmje”.
Krasniqi thotë se një pjesë e madhe e pacientëve janë në gjendje shumë të mirë dhe gjatë javës tjetër pritet të bëhen edhe njëherë testet për ta shpallur edhe shërimin e tyre laboratorik./Telegrafi/